Xhafer Gashi jep dorëheqje nga të gjitha pozitat në LDK

05 tetor 2026 | 19:10

Ish kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha pozitat e tij në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), pas qëndrimit të kësaj partie për mosvotimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Gashi, i cili është kryetar i Degës së LDK-së në Obiliq, ka bërë të ditur se dorëhiqet nga pozitat e anëtarit të Këshillit të Përgjithshëm, anëtarit të Kryesisë dhe kryetarit të Degës së LDK-së në Obiliq.
Në një deklaratë të titulluar “Atdheu përpara vetes”, Gashi ka thënë se mosvotimi i ligjit nga LDK-ja ka shkaktuar “indinjatë të thellë” te anëtarësia e degës në Obiliq, përfshirë edhe grupin e asamblistëve.

“Këtë dhimbje dhe indinjatë e ndaj edhe unë. Si kryetar i Degës, e ndiej për detyrë t’i përgjigjem me qëndrim të qartë dhe me përgjegjësi personale”, ka deklaruar Gashi.

Ai ka theksuar se mbrojtja e dinjitetit të luftës çlirimtare dhe kërkesa për drejtësi janë përgjegjësi që, sipas tij, tejkalojnë kufijtë partiakë.

“Për mua, mbrojtja e dinjitetit të luftës çlirimtare dhe kërkesa për drejtësi janë përgjegjësi që tejkalojnë kufijtë partiakë”, ka shkruar ai.

Gashi ka thënë se nuk mund t’i mbajë pozitat e tij në LDK kur qëndrimi i partisë për këtë çështje bie ndesh me ndërgjegjen e tij dhe me përgjegjësinë që ndien ndaj njerëzve që përfaqëson.

“Sot duhet ta vendosim atdheun përpara vetes dhe interesave të ngushta partiake. Nuk mund t’i mbaj pozitat e mia në parti kur qëndrimi i saj për këtë çështje bie ndesh me ndërgjegjen time dhe me përgjegjësinë që ndiej ndaj njerëzve që përfaqësoj. Heshtja ime do të rëndonte më shumë se largimi”, ka deklaruar Gashi.

Në deklaratën e tij, ai ka përmendur edhe periudhën e veprimtarisë ilegale dhe angazhimin e tij gjatë luftës, duke kujtuar bashkëpunimin me figura të UÇK-së dhe sakrificat për lirinë e Kosovës.

Në fund, Gashi ka falënderuar familjen, anëtarësinë e Degës së LDK-së në Obiliq, asambleistët, bashkëpunëtorët dhe qytetarët që, sipas tij, kanë mbështetur kauzën përmes protestave dhe vigjileve para Kuvendit të Kosovës.

“Pozitat mund t’i lëmë. Përgjegjësinë ndaj atdheut e mbajmë gjithë jetën”, ka përfunduar ai.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra ka treguar për bisedimet që…