Haziri i ashpër me institucionet: S’e votuan ligjin, vendosën kushte mbi kurrizin e UÇK-së
Organizatori i protestës “Jo në emrin tim!”, Çlirim Haziri, i është bashkuar veteranëve në protestën para institucioneve të vendit.
Ai ka thënë se sot do të jenë para Kuvendit dhe Qeverisë, të cilat, sipas tij, nuk i kanë dëgjuar protestuesit asnjëherë.
“Sot u bashkova me veteranët pasi ishte një thirrje nga veteranët për protestë, ndërsa “Jo në emrin tim” kemi thirrur protestë gjithëpopullore nga ora 12:00, e kjo nuk e përjashton njëra-tjetrën. Përmes kësaj kërkese dhe këtij ndryshimi të Ligjit, ne nuk mendojmë e as kërkojmë të ikim nga drejtësia, por përmes këtij ligji ne kërkojmë drejtësi të drejtë dhe të bazuar në fakte, e jo drejtësi të diktuar politikisht nga Serbia e Rusia”.
“Dje, kur patën mundësinë ta votonin këtë ligj, filluan lojërat e tyre politike me leximin e parë të ligjit e pa leximin e dytë, duke vendosur kushte mbi kurrizin e UÇK-së, duke vendosur kushte mbi gjakun e dëshmorëve, duke tentuar të bëjnë pazar politik me Adem e Hamëz Jasharin, Zahir Pajazitin e Luan Haradinaj”, është shprehur Haziri.
Pos tjerash, Haziri ka thënë se i vjen keq për të gjitha incidentet që kanë ndodhur gjatë protestës së djeshme.



