NDËRLIDHJA RECIPROKE NDËRMJET “URGJENCËS” DHE “EMERGJENCËS”

06 tetor 2026 | 20:52

Arben Hoxha

Kryeministri Albin Kurti, duke shpjeguar përse zgjedhja e Presidentit të Republikës duhet të ketë përparësi ndaj votimit të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, është shprehur: “Ligji është urgjencë, por Presidenti është emergjencë.” Arsyeja e paraqitur prej tij lidhet me faktin se 6 tetori përbën ditën e fundit të afatit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit dhe se dështimi i këtij procesi do ta çonte vendin drejt zgjedhjeve të reja.
Në pamje të parë, kjo duket si një ndarje e qartë ndërmjet dy kategorive: njërës që kërkon veprim të shpejtë dhe tjetrës që kërkon veprim të menjëhershëm. Por, nëse e shohim më thellë natyrën e kohës politike, kjo ndarje nuk qëndron. Në politikë, koha nuk është thjesht një kalendar. Ajo është një forcë që ndryshon peshën e vendimeve. Një çështje që sot është urgjente, nesër mund të bëhet emergjente; dhe ajo që sot kërkon vendimmarrje, nesër mund të kërkojë përgjegjësi për mosvendimmarrjen. Si të tilla, urgjenca dhe emergjenca në politikë nuk janë dy botë të ndara. Nuk mund të vendoset një mur konceptual ndërmjet tyre, sikur ekzistenca e njërës ta përjashtonte automatikisht tjetrën. Përkundrazi, ato jetojnë në një marrëdhënie dinamike: urgjenca është paralajmërimi i kohës, ndërsa emergjenca është çasti kur paralajmërimi bëhet realitet. Formula “Ligji është urgjencë, ndërsa Presidenti është emergjencë” krijon përshtypjen se kemi përpara dy kategori të pastra dhe reciprokisht përjashtuese.
Më 5 tetor, Kuvendi shqyrtoi Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe e miratoi atë në lexim të parë me 91 vota. Madje, Kuvendi kishte marrë vendim për shmangie nga afatet procedurale, pikërisht për ta mundësuar trajtimin e tij të përshpejtuar. Emergjenca e zgjedhjes së Presidentit është tashmë një emergjencë e karakterit procedural dhe kushtetues, e cila lidhet me afatin, me funksionimin institucional dhe me pasojat që Kushtetuta ia bashkëngjit dështimit të procesit. Ndërsa urgjenca e Ligjit për Dhomat e Specializuara bart një dimension tjetër: politik, shoqëror, historik dhe moral. Ajo lidhet me mënyrën se si një shoqëri e trajton kujtesën e vet, mënyrën se si një shtet i përgjigjet një konflikti mbi interpretimin e së kaluarës dhe mënyrën se si një komb përballet me atë që e konsideron padrejtësi ndaj historisë së vet.
Një afat kushtetues mund të matet me ditë. Por një plagë historike nuk matet me kalendar. Një procedurë institucionale mund të ketë një datë përfundimi. Por përgjegjësia morale nuk skadon në mesnatë. Ajo nuk zhduket. Përkundrazi, ajo akumulon peshë. Koha nuk e neutralizon problemin. Ajo që dje ishte urgjencë, sot bëhet emergjencë, ndërsa ajo që nesër do të jetë emergjencë mund të bëhet pasnesër histori e një mosveprimi. Në këtë kuptim, emergjenca nuk është gjithmonë diçka që vjen nga jashtë; ajo prodhohet nga vonesa. Ky është paradoksi i kohës politike: vonesa që synon të shmangë një problem mund të jetë pikërisht ajo që e shndërron problemin në krizë. Prandaj, nëse votimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara është urgjent, pyetja themelore nuk është nëse ai është apo nuk është emergjencë. Pyetja është: në çfarë mase mosveprimi po e shndërron urgjencën në emergjencë?
Ligjet nuk ekzistojnë në një vakum moral. Ato lindin brenda historisë, ndërsa institucionet veprojnë brenda kujtesës kolektive. Një vendimmarrje politike mund të jetë formalisht korrekte dhe, megjithatë, të prodhojë një debat të thellë mbi përgjegjësinë historike të atyre që e marrin atë. Çështja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk është vetëm një çështje juridike. Për kombin shqiptar, ajo është e lidhur me vetë përfytyrimin e lirisë, sakrificës dhe shtetësisë. Për këtë arsye, çdo debat mbi mënyrën se si trajtohet trashëgimia e vlerës së UÇK-së prek njëkohësisht të tashmen dhe mënyrën se si kombi shqiptar do ta kujtojë të kaluarën e tij.
Prandaj, “urgjenca” e Ligjit, përpos që nuk mund të reduktohet në një afat procedural, as sesi nuk mund të përdoret si instrument për përmbushjen e afateve procedurale, gjë që Albin Kurti u përpoq ta bënte. Pse? Sepse në vete ajo mbart dimensionin moral të kohës, e cila nuk është e njëjtë me kohën administrative. Administrata pyet: Kur përfundon afati? Historia pyet: Çfarë ndodhi ndërkohë? Kushtetuta pyet: Çfarë kërkon procedura? Ndërsa ndërgjegjja politike pyet: Çfarë kërkon përgjegjësia? Në konferencën për shtyp, Albin Kurti foli nga pozita e përgjegjësisë administrative dhe kushtetuese, por jo nga lartësia e përgjegjësisë historike. Ai e trajtoi kohën si një çështje të afatit procedural, duke lënë në hije kohën si dimension të përgjegjësisë politike, morale e historike.
Sfida e institucioneve nuk është të vendosin se cila nga dy çështjet ekzistuese — Ligji apo Presidenti — duhet të quhet “urgjencë” dhe cila “emergjencë”. Sfida është të mos lejojnë që gjuha e urgjencës të bëhet instrument për fshehjen e përgjegjësisë, ndërsa koha të shndërrohet në alibi për mosveprimin. Përjashtimi i dy kategorive, urgjencës dhe emergjencës, ishte një premisë sofistike që Albin Kurti e përdori për fshehjen e përgjegjësisë morale e historike, ndërsa vetë kohën e përdori si alibi për mosveprim.
Emergjenca s’është gjë tjetër veçse urgjenca që ka mbërritur në kufirin e kohës. Urgjenca është thirrja e kohës; emergjenca është momenti kur ajo thirrje kërkon përgjigje. Në këtë kuptim, Albin Kurti u shfaq si përgjigjja e hershme ndaj asaj që e cilësoi si emergjencë kushtetuese, duke e vendosur zgjedhjen e Presidentit përpara një urgjence tjetër, e cila, duke mbetur pa përgjigje, së shpejti do të shfaqet si emergjenca e të gjitha emergjencave.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Hyrja në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë është bllokuar nga forca…