Vdekja e punëtorit në Ferizaj, ndalohet një person për 48 orë
12 tetor 2026
| 20:39
Një punëtor 54-vjeçar ka vdekur sot në një objekt në ndërtim në rrugën “Cen Dugolli” në Ferizaj.
Rasti ka ndodhur rreth orës 15:40, kur viktima, me inicialet M. M., dyshohet se gjatë punimeve ndërtimore është rrëzuar nga kati përdhes në bodrum.
Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka bërë të ditur se një person 31-vjeçar, me inicialet B. T., është ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe ekipet e Emergjencës, të cilat kanë konstatuar vdekjen e punëtorit.
Po ashtu, në vendin e ngjarjes kanë intervenuar hetuesit rajonalë, ndërsa janë njoftuar edhe inspektorët e punës.



