Trumpi urdhëroi personalisht që Starlink të “fiket” për ukrainasit

16 tetor 2026 | 08:17

Urdhri për të kufizuar sistemin satelitor që përdoret nga Ukraina për komunikimet në fushën e betejës dhe operacionet me dronë erdhi nga Shtëpia e Bardhë, sipas dy zyrtarëve amerikanë dhe një zyrtari perëndimor të njohur me çështjen, të cilët folën për agjencinë Reuters.

Zyrtarët deklaruan se drejtuesit në Departamentin e Mbrojtjes të SHBA-së morën udhëzime që shërbimi “Starshield” i kompanisë SpaceX, i përdorur nga ushtria ukrainase, duhej të kufizohej. Duke folur në kushtet e anonimitetit, ata nuk specifikuan se kush brenda Shtëpisë së Bardhë e mori vendimin apo kush u ngarkua me zbatimin e tij.

Pentagoni është përdoruesi kryesor i “Starshield” – versioni ushtarak i shërbimit “Starlink” – të cilin SpaceX e zhvilloi posaçërisht për klientët qeveritarë dhe agjencitë e sigurisë, duke shfrytëzuar rrjetin ekzistues satelitor “Starlink”.

Zyrtarët ukrainas raportuan këtë javë se terminalet ushtarake “Starlink” pushuan së funksionuari kur u vendosën në platforma që lëviznin me shpejtësi të lartë. Kjo pengoi operacionet e dronëve ukrainas, të cilët mbështeten te ky sistem për orientim gjatë fluturimit mbi territorin ukrainas.

Sipas këtyre zyrtarëve, kufizimet penguan goditjet ndaj forcave dhe logjistikës ruse në territoret e pushtuara. Ato gjithashtu ngadalësuan dronët përgjues që përdoren për të rrëzuar dronët rusë të tipit “Shahed”.

Një burim brenda Ministrisë së Mbrojtjes të Ukrainës deklaroi të enjten se terminalet tani funksionojnë edhe gjatë lëvizjes, por vetëm deri në një shpejtësi prej 160 kilometrash në orë.
Pas vendosjes së këtyre kufizimeve, zyrtarët ukrainas kontaktuan përfaqësues të lartë në Shtëpinë e Bardhë, Departamentin e Shtetit dhe Pentagonin, të martën dhe të mërkurën, duke kërkuar shpjegime. Një zyrtar i lartë ukrainas i tha agjencisë Reuters se Kievi ishte informuar se ky ishte një vendim i marrë nga Shtëpia e Bardhë.

Presioni lidhur me sulmet ndaj rafinerive

Ky kufizim i përkohshëm vjen në një kohë kur Presidenti amerikan Donald Trump po ushtron presion mbi Kievin që të ndalojë sulmet ndaj rafinerive ruse të naftës. Trump i fajëson këto sulme për çmimet e larta të energjisë, të cilat po dëmtojnë perspektivat e Partisë së tij Republikane në zgjedhjet për Kongresin që do të mbahen në nëntor.

Megjithatë, ekspertët theksojnë se rritja e çmimeve është kryesisht pasojë e konfliktit SHBA-Izrael me Iranin, sulmeve iraniane ndaj objekteve energjetike dhe mbylljes pothuajse të plotë të Ngushticës së Hormuzit. Kur iu kërkua një koment, një zyrtar i lartë amerikan deklaroi: “Presidenti nuk ka bërë kurrë një kërkesë të tillë.” Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj pyetjes nëse kërkesa mund të kishte ardhur nga dikush tjetër brenda administratës. SpaceX, Pentagoni dhe Ambasada e Ukrainës në Uashington gjithashtu nuk iu përgjigjën kërkesave për koment nga agjencia Reuters.

Pronari i SpaceX, Elon Musk, shkroi të mërkurën në platformën X se sistemet “Starshield” zotërohen dhe kontrollohen nga qeveria amerikane. Prandaj, sipas tij, vendimet lidhur me shpejtësinë ose kufizimet e përdorimit merren nga ushtria amerikane ose nga Presidenti.

Marrëdhënie të tensionuara

Marrëdhëniet midis Kievit dhe Uashingtonit u përkeqësuan pas një takimi në Miami më 9 tetor, në të cilin morën pjesë përfaqësues nga të dyja vendet, Evropa dhe Banka Botërore. Sipas një burimi të njohur me çështjen, dhëndri i Trumpit, Jared Kushner, dhe i dërguari për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, mbajtën një qëndrim shumë të ashpër. Ata u bënë të ditur ukrainasve se Uashingtoni është i frustruar nga sulmet e vazhdueshme ndaj rafinerive ruse, pavarësisht kërkesave të përsëritura për t’i ndaluar ato.

Delegacioni amerikan shpjegoi gjithashtu vendimin lidhur me një marrëveshje me Rusinë për naftën (dizelin), duke shprehur shpresën se kjo mund të zbusë qëndrimin e Moskës në negociatat e paqes. Sipas kësaj marrëveshjeje, Rusia do të furnizojë tregun amerikan dhe atë global me më shumë se 2,25 milionë fuçi naftë. Disa ligjvënës amerikanë e kanë kritikuar këtë, duke argumentuar se kjo do t’i sigurojë Moskës fonde për të vazhduar luftën, pa kërkuar asnjë lëshim në këmbim.

Zelenskyy e përshkroi vendimin lidhur me marrëveshjen si një shenjë dobësie, ndërsa Trumpi bëri thirrje për mbajtjen e zgjedhjeve në Ukrainë dhe për largimin e Zelenskyyt. Agjencia Reuters raportoi më herët se zyrtarë amerikanë kishin kërcënuar, në prapaskenë, se do të ndalonin ofrimin e informacioneve të inteligjencës për Kievin lidhur me lëshimet e raketave ruse. Të martën, Trumpi deklaroi se Uashingtoni vazhdon t’i ndajë këto informacione me Ukrainën.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Mbretëria e Bashkuar po përgatitet të furnizojë Ukrainën me raketa…