Protesta të dhunshme në Belgjikë, policia përdor gaz lotsjellës dhe topa uji
Protestat kundër rritjes së kostos së jetesës në Belgjikë janë shndërruar në përplasje mes demonstruesve dhe policisë, me incidente të raportuara në Bruksel dhe Liezh.
Sipas mediave të huaja, policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë protestuesit, ndërsa në kryeqytet disa të rinj hodhën shishe dhe objekte të tjera në zonën e Bursës (Bourse).
Një gazetar i agjencisë së lajmeve AFP raportoi se policia përdori gaz lotsjellës ndaj grupeve të të rinjve në Bruksel, ndërsa në qytetin lindor të Liezhit u përdorën topa uji kundër grupeve më të vogla të demonstruesve.
Ministri belg i Brendshëm, Bernard Quintin, reagoi ndaj incidenteve, duke deklaruar se situata “nuk është më thjesht një protestë”.
“Është dhunë e pastër, e organizuar dhe e përsëritur, me qëllim destabilizimin e shoqërisë sonë”, shkroi ai në rrjetet sociale, duke paralajmëruar se do të ndërmerren masat e nevojshme për rivendosjen e rendit.
Ndërkohë, në javët e fundit, nxënës të shkollave të mesme në Belgjikë kanë protestuar kundër rritjes së kostove të arsimit.
Lëvizjet protestuese në Belgjikë vijnë në një kohë kur edhe studentët në Francë po kundërshtojnë mungesën e mësuesve, kushtet e këqija në institucionet arsimore dhe klasat e mbipopulluara.
Po ashtu, protestat masive në Paris janë shoqëruar me skena kaosi gjatë fundjavës, duke shtuar tensionet në disa vende evropiane.



