Haradinaj këmbëngul se Specialja ua vodhi 16 mijë euro për ushqim atij, Thaçit, Veselit dhe të tjerëve

22 tetor 2026 | 15:29

Shqetësimet për respektimin e të drejtave të njeriut nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë shoqëruar ndër vite debatin publik, që nga themelimi i Gjykatës Speciale.

Mbrëmë, Gresa Krasniqi, vajza e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka njoftuar se babai i saj ka refuzuar një vizitë të mjekëve në Hagë dhe se do të veprojë njësoj edhe në vazhdim.

“Sot, gjatë një telefonate, më tha: ‘Erdhën disa doktorë për të më kontrolluar, natyrisht që i refuzova’”, ka bërë të ditur Gresa Krasniqi.

Përmes vajzës së tij, Jakup Krasniqi ka përcjellë edhe protestën ndaj asaj që e konsideron mohim të të drejtave të njeriut në Hagë.

“Jam këtu pa të drejtë, më është mohuar çdo e drejtë njerëzore tash e gjashtë vjet, prandaj nuk më duhet as kujdesi i tyre. Ju të jeni të informuar se unë nuk do të pranoj më asnjë kujdes nga ana e tyre”, thuhet, ndër të tjera, në njoftimin e Gresa Krasniqit.

Ndërkohë, Nasim Haradinaj, i cili e ka vuajtur dënimin në Hagë, ka bërë disa deklarata në të cilat ka pretenduar se punonjësit e Gjykatës Speciale u kanë marrë shuma të konsiderueshme parash të paraburgosurve.

Në njërën prej intervistave të para pas lirimit nga Haga, Haradinaj ka rrëfyer për përvojat e tij dhe për shkeljet e pretenduara të të drejtave të njeriut, duke pretenduar se atij dhe personave të tjerë u janë marrë para për porositë e ushqimit.

“Ushqimi është katastrofë dhe hajnia është në kulm. Tetë vetëve na kanë vjedhur, për atë periudhë, minimumi nga 2 mijë euro secilit.

Ne porositnim ushqim dhe secili e ka çmimin. Ata ta sillnin ushqimin. Nganjëherë na i zbritnin shumat nga xhirollogaria, nganjëherë na i zbritnin nga dy herë, ndërsa nganjëherë na i faturonin produkte që nuk i kishim porositur.

Minimumi, secilit prej nesh i janë vjedhur të paktën 1 800 euro.

Pjetrit (Shalës) dhe Calit u janë vjedhur shumë para. Edhe neve na janë marrë shuma të konsiderueshme. Llogarite: tetë vetëve nga 2 mijë euro, gjithsej 16 mijë euro na janë vjedhur në mes të Evropës. E di gjykata, e di prokuroria”, ka rrëfyer Nasim Haradinaj në intervistën e tij të parë pas lirimit nga Haga, në emisionin “Debat Plus”.

Haradinaj e ka përsëritur këtë rrëfim edhe mbrëmë, në “Kanal 10”, në kontekstin e pretendimeve për shkelje të të drejtave të njeriut nga Gjykata Speciale.

Ai ka treguar gjithashtu se kishte kërkuar katër herë takim me Avokatin e Popullit të Dhomave të Specializuara dhe se mezi kishte arritur ta bindte atë që ta priste.

“Avokatin e Popullit e kam thirrur katër herë, atë hajn. Vetëm i ngrinte krahët: ‘Nuk di, unë nuk e di’. Hajdut është ai, sepse po i vjedh paratë e taksapaguesve.

Si qyqe, e kam detyruar të vijë me zor. Nuk donte të vinte, mendonte se po e kryente punën vetëm përmes monitorimit. I kemi treguar se po na i vjedhin paratë. Secilit prej nesh na janë vjedhur paratë private, nga 2 mijë euro secilit, gjithsej 16 mijë euro.

Pagesat për mallrat që blinim na i regjistronin dy herë”, ka rrëfyer Haradinaj.

Në rrëfimet e tij për periudhën e qëndrimit në burgun e Hagës, Haradinaj ka përmendur edhe një ngjarje tjetër shqetësuese. Ai ka thënë se, në një periudhë të caktuar, të gjitha dritaret u ishin mbyllur, në mënyrë që të paraburgosurit të mos mund ta shihnin njëri-tjetrin.

Sipas tij, kjo kishte ndodhur para fillimit të gjykimit të Salih Mustafës, i njohur me nofkën Cali.

“Calin e kanë izoluar para se ta gjykonin. Neve na i kanë mbyllur dritaret, jo vetëm që të mos mund të komunikonim, por as të mos shihnim se çfarë po ndodhte atje poshtë, në vendin ku shëtisnim.

Kanë dashur të mbyllnin edhe një dritare në kuzhinë. Aty kanë ndërhyrë Kadri Veseli dhe të gjithë ne të tjerët, ndërsa situata ka qenë në prag të përshkallëzimit.

Kur ka ndërhyrë Kadria, të gjithë e kemi mbështetur dhe e kemi parë se situata po përshkallëzohej.

Është vendosur një mbulesë në dritare dhe nuk shihnim as dritën”, ka rrëfyer Nasim Haradinaj.

Ndër raportet që kanë trajtuar shqetësimet lidhur me respektimin e të drejtave të njeriut nga Dhomat e Specializuara, njëri ndër më të përfolurit është ai i Bar Human Rights Committee of England and Wales (BHRC), i përgatitur me kërkesë të Avokatit të Popullit të Kosovës.

Raporti ngre shqetësime lidhur me garantimin e të drejtave të njeriut dhe të drejtën për një gjykim të drejtë. Ndër çështjet e trajtuara janë kohëzgjatja e paraburgimit, përdorimi dhe kundërshtimi i provave të siguruara nga Serbia, si dhe shqetësimet lidhur me pavarësinë dhe paanshmërinë e gjykatës.

Këto çështje kërkojnë shqyrtim të kujdesshëm juridik. Megjithatë, është e rëndësishme të bëhet dallimi ndërmjet shqetësimeve dhe pretendimeve të paraqitura në raport dhe një konstatimi përfundimtar juridik se në raste konkrete janë shkelur të drejtat e njeriut.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Mijëra studentë dhe mësues marshuan të mërkurën nëpër rrugët e…