KRU “Gjakova” shkarkon nga detyra kryeshefin ekzekutiv Hasan Krasniqi
Bordi i Drejtorëve i KRU “Gjakova” Sh.A. ka vendosur ta shkarkojë nga detyra kryeshefin ekzekutiv, Hasan Krasniqi, pas vlerësimit të përgjegjësive të tij menaxheriale lidhur me trajtimin e çështjes së një objekti administrativ pranë Digës së Liqenit të Radoniqit.
Vendimi është marrë në mbledhjen e jashtëzakonshme të Bordit, të mbajtur më 23 tetor 2026, me pesë vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Sipas komunikatës së KRU “Gjakova”, Bordi e ka marrë vendimin pas shqyrtimit të dokumentacionit të kompanisë, akteve të organeve kompetente administrative dhe gjyqësore, raportimeve të menaxhmentit dhe sqarimeve të dhëna nga Krasniqi.
Në fokus të shqyrtimit ishte trajtimi i çështjes së objektit administrativ pranë Digës së Liqenit të Radoniqit dhe zbatimi i detyrimeve që rridhnin nga aktet e organeve kompetente.
Bordi ka theksuar se, pas Aktvendimit nr. 61/2026 të 9 shtatorit 2026, me të cilin KRU “Gjakova” ishte urdhëruar të ndërmerrte masa për ndërprerjen e aktivitetit të operatorit në këtë objekt, menaxhmenti duhej të vepronte në mënyrë konkrete, të dokumentuar dhe brenda afateve përkatëse.
Në aktvendim ishte përcaktuar gjithashtu se ankesa nuk e shtynte ekzekutimin.
Gjatë shqyrtimit, Bordi ka analizuar edhe dokumentacionin lidhur me kërkesën e kompanisë të vitit 2017, Pëlqimin nr. 1945-2/17 të 2 majit 2017 dhe Kontratën e Qirasë të 4 prillit 2018.
Sipas Bordit, nga dokumentacioni i shqyrtuar nuk është identifikuar ndonjë akt i mëvonshëm i organit kompetent që autorizon shprehimisht përdorimin e objektit për destinimin “Restorant dhe Hotel”, siç parashihet në kontratën e qirasë.
Bordi ka marrë parasysh edhe shqetësimet e menaxhmentit për pasojat e mundshme kontraktuale dhe financiare ndaj operatorit ekonomik.
Megjithatë, ka vlerësuar se zbatimi i urdhrit administrativ për ndërprerjen e aktivitetit duhej të trajtohej veçmas nga çështja e zgjidhjes apo ndërprerjes përfundimtare të kontratës së qirasë.
Para marrjes së vendimit, Hasan Krasniqi është dëgjuar nga Bordi dhe i është dhënë mundësia të paraqesë qëndrimin e tij, të sqarojë veprimet e ndërmarra dhe të dorëzojë dokumentacionin përkatës.
Pas shqyrtimit të të gjitha rrethanave, Bordi ka vlerësuar se masat e ndërmarra nga kryeshefi ekzekutiv nuk kanë qenë të mjaftueshme për zbatimin e detyrimeve që rridhnin nga aktet administrative të ekzekutueshme dhe për adresimin e plotë të çështjeve që lidhen me dokumentacionin dhe përdorimin e objektit.
Sipas Bordit, mënyra e trajtimit të kësaj çështjeje përbënte mangësi serioze në përmbushjen e përgjegjësive menaxheriale dhe kishte cenuar besimin e nevojshëm për vazhdimin e Hasan Krasniqit në pozitën e kryeshefit ekzekutiv.
Në përfundim, Bordi i Drejtorëve i KRU “Gjakova” ka ritheksuar përkushtimin ndaj ligjshmërisë, mbrojtjes së interesit dhe pasurisë së ndërmarrjes publike, transparencës dhe ushtrimit me përgjegjësi të funksionit mbikëqyrës.



