Hasan Krasniqi refuzoi të nënshkruante pa vendim të Bordit, u shkarkua nga detyra!
Një vendim që mund t’i kushtonte pozitën, por jo ndërgjegjen profesionale! Ish-kryeshefi ekzekutiv i KRU “Gjakova”, Hasan Krasniqi, ka bërë publike rrethanat në të cilat, sipas tij, është shkarkuar nga detyra, pasi refuzoi të nënshkruante ndërprerjen e njëanshme të kontratës me operatorin ekonomik “Liqeni i Dukagjinit”, pa një vendim zyrtar me shkrim nga Bordi ose Ministria e Ekonomisë.
Sipas rrëfimit të Krasniqit, kryesuesi i Bordit i kishte kërkuar ndërprerjen e kontratës, duke e vendosur përballë dy alternativave: ta nënshkruante ndërprerjen ose të jepte dorëheqje.
Por Krasniqi thotë se nuk pranoi asnjërën, duke kërkuar vetëm një vendim të shkruar që do ta autorizonte të ndërmerrte një veprim të tillë.
Ai ka paralajmëruar se ndërprerja e kontratës mund të sillte pasoja juridike dhe financiare milionëshe për kompaninë, duke iu referuar edhe opinioneve të marra nga ekspertë të jashtëm juridikë.
“Pa këtë vendim nga ana juaj, nuk jap dorëheqje dhe nuk e nënshkruaj ndërprerjen e njëanshme të kontratës”, ka deklaruar Krasniqi.
Sipas tij, përgjigjja e kryesuesit të Bordit ishte e menjëhershme: “Je i shkarkuar, liro sallën.”
Ky rrëfim paraqet një shembull të qëndrimit profesional përballë presionit institucional, ku Krasniqi pretendon se zgjodhi të rrezikonte pozitën e tij në vend që të merrte përsipër një vendim që, sipas vlerësimeve të tij, mund t’i shkaktonte dëme të mëdha financiare kompanisë.
Pozitat janë të përkohshme, por integriteti dhe përgjegjësia profesionale mbeten.
Rrethanat dhe pretendimet e paraqitura nga Krasniqi mbeten për t’u sqaruar edhe nga Bordi i KRU “Gjakova”.



