25 vjet nga operacioni “Stuhia” që tmerroi serbet në Kroaci

05 gusht 2020 | 11:54

Sot bëhen 25 vjet nga operacioni “Stuhia” (Oluja) i Forcave të Armatosura Kroate për të kthyer kontrollin e pjesëve të Kroacisë, të marra nga serbët në fillim të vitit 1991.

Në përvjetorin e 25-të të operacionit ushtarak të koduar me emrin “Stuhia”, me anë të të cilit Kroacia rivendosi kontrollin ndaj tërësisë territoriale të saj, kroatët ditën e 5 gushtit e kremtuan si fitore ndaj ekspansionizmit serb. Gjatë operacionit “Stuhia” pretendohet se janë vrarë 2.500 serbë, ndërsa rreth 200 mijë të tjerë janë dëbuar nga territoret e Kroacisë.

Edhe pse operacioni “Stuhia” u zhvillua mes datave 4-26 gusht të vitit 1995, pjesa më e madhe e territoreve të Kroacisë, të kontrolluara nga ana e serbëve, u çlirua në 4 ditët e para të operacionit. Një pjesë e serbëve të detyruar të largohen nga territoret e çliruara u vendosën në Serbi dhe një pjesë tjetër në Bosnjë-Hercegovinë. Kroatët datën e 5 gushtit e kremtojnë si ditën e fitores së luftës çlirimtare. Ndërkohë që autoritetet e Kroacisë deklarojnë se duhet të jenë krenarë për operacionin “Stuhia”, autoritetet e Serbisë, dhanë mesazhe se Serbia kurrë nuk do ti harrojë ato që u jetuan gjatë këtij operacioni.

Nga aspekti i kroatëve operacioni “Stuhia” ka qenë një nevojë qysh prej fillimit të procesit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Për sa i përket arsyes, serbët e Kroacisë me urdhrin e Beogradit bënë kryengritje dhe në vitin 1991 shpallën “Republikën Serbe të Krahinës”, e cila përket me 1/3 e territorit të Kroacisë. Paralelisht me këtë, nga këto territore, të cilat hynë nën kontrollin e serbëve, u dëbuan kroatët ndërsa pasuritë e tyre u plaçkitën dhe u dogjën. Serbët e Krahinës, me përkrahjen e marrë nga Beogradi, deri në ditën e operacionit mundën ti bëjnë ballë udhëheqjes kroate.

Autoritetet kroate, në çdo rast, theksojnë se operacioni “Stuhia” është kryer në përputhje me rregullat e luftës dhe marrëveshjeve ndërkombëtare. Për më tepër operacionin në fjalë në Kroaci cilësohet si ‘kurorëzimi’ i luftës çlirimtare. Duhet theksuar se tre gjeneralë kroatë u gjykuan në Gjykatën Penale Ndërkombëtare (Tribunali i Hagës) për krime të luftës në ish-Jugosllavi, mirëpo u shpallën të pafajshëm dhe u lanë të lirë.

Në luftën e Kracisë përballë Serbisë, mijëra shqiptarë veshën uniformën e ushtrisë kroate. Sipas të dhënave të Shoqatës së Luftëtarëve Shqiptarë në Kroaci, rreth 3 mijë vullnetarë shqiptarë luftuan përkrahë forcave kroate, nga të cilët 86 ranë dëshmorë, 500 të plagosur, ndërsa mbi 40 akoma rezultojnë të zhdukur. Kjo shoqatë çdo vit me nderime të larta duke përfshirë edhe autoritetet shtetërore kroate përkujtojnë luftën e viteve 1991-1995 për çlirimin e vendit.

Më 21 nëntor të vitit 1995 vetëm 3 muaj pas shpërbërjes së Krahinës dhe masakrës së Srebrenicës u nënshkrua marrëveshja e Dajtonit (Dayton Peace Agreement) mes Alija Izetbegoviç, Slobodan Milosheviç dhe Franjo Tuxhman në Amerikë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Demi Rose ka vënë në fokus gjoksin bombastik. Ajo ka…