Bajrami: Nuk ka buxhet për të bërë pagesat e dyta për punëtorët

03 korrik 2020 | 15:49

Qeveria e Kosovës nuk ka mjete të mjaftueshme për të zbatuar Pakon Emergjente Fiskale, pa rishikim të buxhetit i cili tashmë është dërguar në Kuvendin e Kosovës. Kështu ka thënë në një intervistë për “Radion Evropa e Lirë”, ministrja e Financave, Hykmete Bajrami.

“Tani masat e Pakos Emergjente Fiskale janë pjesë integrale e Pakos për Rimëkëmbje Ekonomike. Kostoja e saj në fillim është parashikuar të jetë 160 milionë euro. Kjo kosto sa vjen e rritet për shkak të numrit të madh të aplikacioneve. Ne në Ministrinë e Financave, sipas llogaritjeve që kemi, kostoja e Pakos Emergjente mund të shkojë deri në 180 milionë euro. Por, mund të kalojë edhe këtë shumë. Prej kohës së lansimit e deri më tani janë disbursuar 80 milionë euro. Kemi arritur në limitet e shpenzimit të buxhetit që nënkupton, kemi mjaft pak mjete për të ekzekutuar edhe disa vendime të komisioneve ndërministrore. Nëse nuk bëhet rishikimi i buxhetit të Kosovës, ne nuk mund të ekzekutojmë kërkesa”, ka thënë ajo.

Në Pakon Emergjente Fiskale e cila është në vlerë prej rreth 180 milionë eurosh, ndër të tjera është paraparë që punëtorët që kanë humbur vendin e punës, pas shpalljes së masave emergjente për shkak të pandemisë së koronavirusit, të përfitojnë nga 170 euro për dy muaj (prill dhe maj). Deri më tani, është arritur të bëhet pagesa vetëm për një muaj.

Nga Pakoja fiskale deri më tani janë shpenzuar 80 milionë euro. Në dispozicion Kosova i ka rreth vetëm 1.5 milion euro për të disbursuar.

Ndërkohë, Bajrami ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, që të votojnë marrëveshjet ndërkombëtare për kredi, të arritura nga Qeveria e Kosovës, pasi këto marrëveshje ndihmojnë buxhetin e Kosovës.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave dhe Transfereve, totali i marrëveshjeve të cilat duhet ratifikuar në procedurë të përshpejtuar përfshinë pesë marrëveshje kredie në vlerë prej 228.1 milionë euro dhe dy marrëveshje bashkëfinancimi në vlerë prej 61 milionë euro.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i UEFA-s Aleksandër Çeferin ka thënë se një vendim…