LSDM-ja: Në bisedimet me BDI-në kemi rënë dakord në disa pika

09 gusht 2020 | 17:05

Partia fituese e zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut, LSDM-ja që drejtohet nga Zoran Zaevi, ka bërë me dije se nga bisedimet e zhvilluara me Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) të Ali Ahmetit për formimin e shumicës parlamentare dhe krijimin e qeverisë së re janë dakorduar për disa pika, në mesin e tyre respektimi i Marrëveshjes së Prespës, Marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë si dhe për respektimin e Marrëveshjes së Ohrit, por që sipas kësaj partie ende nuk ka marrëveshje.

“Jemi të përkushtuar në kohezionin shoqëror, shoqëri të fuqishme dhe tolerante, sundimin e së drejtës dhe jemi të gatshëm që të kundërshtojmë çdo formë të nacionalizmit dhe urrejtjes. Kemi biseduar se programi eventual i përbashkët për qeverisje duhet të jetë në pajtueshmëri me Kushtetutën, ligjet dhe programin zgjedhor të LSDM-së dhe BDI-së”, është thënë në komunikatën e LSDM-së.

LSDM-ja ka deklaruar se janë të nevojshme kuadro të përgjegjshme, të propozuara nga të dy palët për drejtimin e Maqedonisë së Veriut.

“Partitë kanë rënë dakord për pastrim të gjyqësorit dhe për kontrollim të prejardhjes së parave dhe të kapitalit të funksionarëve, përmes një sistemi që do të përpilohet bashkërisht. Bisedimet për shumicën e re parlamentare vazhdojnë, është e nevojshme shumicë stabile në Kuvend që do të sigurojë formimin e një qeverie të re të përgjegjshme që do të shpije fuqishëm drejt rrugës evropiane”, është thënë në këtë komunikatë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dy familje të cilat ishin të hasmëruara nga Hajvalia e…