Ministrja Dumoshi priti në takim sportistët e verbër

30 shtator 2020 | 15:30

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, priti sot në takim sportistët e verbër të cilët po zhvillojnë aktivitete në kuadër të Javës Evropiane të Sportit.

Në takim ishte e pranishme edhe Ambasadorja e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barisic, kryetarja e Komitetit Paraolimpik të Kosovës, Njomza Emini dhe Administratorja e Zyrës Ndërlidhëse të Sllovakisë në Kosovë, Eva Havasiova.

Ministrja Dumoshi u shpreh e lumtur që kjo javë sportive ka bërë që të përfshihen të gjithë me aktivitete dhe që lehtësimi i masave ndaj Covid-19 ka bërë të mundur që aktivitetet sportive të zhvillohen më lehtësisht.

“Gjithëpërfshirja në aktivitete sportive për të gjithë në Kosovë është tepër e rëndësishme dhe i kontribuon një shoqërie demokratike të barabartë”, ka thënë ministrja Dumoshi.

“Ju uroj për aktivitetin tuaj të shahut për të cilin keni një talent të shkëlqyer. Ju e keni përfaqësuar Kosovën në Kampionatin Botëror dhe ju keni sjellë rezultate të mira. Edhe pse Kosova është një vend i vogël ju e keni bërë të mundur që ajo të jetë në mesin e 20 vendeve të botës, e kjo është një arritje shumë e madhe për vendin, prandaj edhe mbështetja jonë për ju nuk do të mungojë”, ka shtuar Dumoshi.

Sporti i personave të verbër në Republikën e Kosovës është organizuar nga Federata e Sportit për të Verbër, e cila është themeluar në vitin 2006 dhe përbëhet nga shoqatat komunale dhe nder komunale në tërë territorin e Kosovës.

Sportistët e verbër zhvillojnë dy disiplina sportive goalball dhe shah. Në goalball organizohet liga që nga viti 2006 dhe reprezentacioni i goalballit të Kosovës e ka përfaqësuar Kosovën edhe në gara ndërkombëtare në Suedi, Belgjikë e Slloveni.

Në disiplinën e shahut, të verbrit e Kosovës në vitin 2017 kanë marrë pjesë në Olimpiadën Botërore të Shahut për të Verbër dhe kanë treguar sukses të kënaqshëm.

Federata e Sportit për të Verbër është anëtare e Komitetit Paraolimpik të Kosovës prej vitit 2011, prej themelimit të këtij Komiteti.

Image preview

Ndërkaq, kryetarja e Komitetit Paraolimpik të Kosovës, Njomza Emini, ka thënë se persona me aftësi të kufizuara në Kosovë marrin pjesë e garat ndërkombëtare.

“Në Kosovë ka persona me aftësi të kufizuara, por që nuk i pengon aspak ata të jenë pjesë e garave ndërkombëtare dhe kjo na lehtëson edhe më shumë punën neve si Komitet Paraolimpik me mbështetjen që kemi nga ministrja Dumoshi. Jemi të lumtur që e kemi menduar dhe realizuar aktivitetin ku të verbrit kanë marrë pjesë në Javën Evropiane të Sportit”, ka thënë Emini.

Kryetari i Shoqatës së të Verbërve të Kosovës, Daut Tishuki, ka deklaruar: “shahu ka avancuar shumë dhe ne jemi pjesëmarrës si në Olimpiadën Botërore të Shahut po ashtu edhe në dy kampionate individuale botërore për të verbër në kategorinë e shahut dhe me përkrahje nga Ministria dhe Federata e Shahut kemi treguar rezultate të mira”.

(Epoka e re) 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci dhe ministri i…