50 punëtorë shëndetësorë në Spitalin e Gjilanit të infektuar me koronavirus
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka bërë të ditur numrin e personelit shëndetësorë në Spitalin e Gjilanit të cilët janë të infektuar me COVID-19.
Përmes një postimi në “Facebook”, përderisa ka njoftuar se ka qëndruar në këtë spital për vizitë ai ka thënë se numri i pacientëve me virus të cilët po trajtohen është 68, kurse nga personeli shëndetësor 50 janë pozitivë me COVID-19 dhe në vetizolim janë 8 mjekë.
Megjithatë sipas tij, pacientët në çdo kohë dhe për çdo shërbim, kanë nevojë dhe duan trajtimin e duhur.
“Sonte, gjatë vizitës në Spitalin e Përgjithshëm në Gjilan, kërkova që të vazhdojmë të bëjmë të pamundurën, duke vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet tona, gjithsecili me detyrën, përgjegjësinë dhe përvojën. Pengimi i përhapjes dhe luftimi i virusit në S.P. të Gjilanit po vazhdon, me intensitet dhe vëmendje të shtuar. Përgëzoj menaxhmentin dhe personelin e Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan, për përkushtimin dhe punën që bëhet këtu, për qytetarët tanë. Mos u ndalni, ju lumtë!”, ka shkruar Zemaj.
Ai tutje ka bërë thirrje për kujdes dhe respektim të masave anti-Covid, duke kërkuar nga qytetarët të ndryshojnë sjelljen e deritashme.