6 000 DITË DHE 6 000 NET

13 shkurt 2020 | 16:00

Shkruan: Berat Armagedoni (alias Dakaj)

Gazeta “Epoka e re” më 25 janar 2020 shënoi 20-vjetorin e themelimit. Unë, më 9 shtator 2019, pata shënuar 13-vjetorin e punësimit në këtë gazetë. Prandaj, duke punuar kaq gjatë në të, kam çfarë t’ju rrëfej sot për të, për kolegët e mi të sotëm, por edhe për disa ish-kolegë – kryeredaktorë dhe gazetarë, posaçërisht për botuesin Muhamet Mavraj dhe për drejtorin e përgjithshëm të gazetës, Sadik Zeqiri, me të cilët jemi mbledhur sot këtu, në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, për çlirimin e hapësirave të të cilit, para njëzet e tre-katër vjetësh, si asnjëherë tjetër e si askush tjetër, ka kontribuar, ka dhënë mund dhe mend, ka derdhur djersë dhe ka dhënë ide dhe ka vepruar për çështjen kombëtare dhe të universitetit e të arsimit shqip, ish-kryetari i Kuvendit të Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës, njëherësh kryeredaktor i gazetës studentore “Bota e re”, Muhamet Mavraj.

Këtë njëzetvjetor të gazetës ne donim ta kremtonim më ndryshe. Ta bënim më madhështor dhe sa më të bukur. Donim të kishim përreth vetes edhe miq e jo vetëm ish-staf dhe staf gazete. Donim t’i kishim përreth edhe disa njerëz të politikës dhe disa rapsodë. Disa analistë dhe disa politikanë. Donim, po ashtu, që këtë takim ta organizonim tjetërkund, në ndonjë sallë më luksoze, më të madhe dhe më komode. Donim, po ashtu, ta kremtonim së bashku me monografinë për “Epokën e re”, e cila e ka pasur kohën ta shihte dritën e botimit këtë vit sepse janë bërë shumë vite punë, janë botuar shumë numra gazete, mijëra faqe e janë regjistruar shumë rrëfime e botuar shumë fotografi nga e gjithë bota.

Kishim në mendje, për njëzetvjetorin e saj, edhe shumë ide të tjera, të cilat, sa herë që na shkrepnin kujt më shpejt, mblidheshim t’i diskutonim brenda hapësirës së redaksisë së gazetës, kur Mavraj s’ishte aty. S’është as sonte. S’ishte as mbrëmë. Gjithë javën s’ka qenë. Gjithë muajin. Ka kohë që, së bashku me kuletën, na ka dorëzuar edhe besimin dhe lënë në dyer të redaksisë etikën e punës që për çdo vit, në semestrin veror dhe në atë dimëror, ua mëson dhe përsërit studentëve të gazetarisë dhe të komunikimit: “Ndershëm, korrekt, paanshëm. Ngadalë dhe mirë”. Dhe kur një natë, më në fund, në një fushë futbolli biseduam me të për kremtimin e njëzetvjetorit të gazetës dhe për tubimin tonë të përbashkët diku në një sallë restoranti, ai na thirri e na tha: “Djem, sa më thjesht, sa më thjesht, sa më thjesht organizojeni. Meqë ju dëshironi ta festoni numrin 6000 dhe njëzetvjetorin e gazetës, unë dua që ju t’i ftoni vetëm gazetarët dhe ish-gazetarët e gazetës, bashkëpunëtorët tanë, ata afaristë që s’na kanë harruar kurrë, që kanë ndarë fitimet e veta për ta vazhduar publikimin e gazetës dhe mbajtur në punë dhjetëra veta, për të cilët më ka marrë malli fort, me të cilët dua ta ndërroj nga një cigare, t’i falënderoj për bashkëpunimin e gjatë dhe për kontributin e madh e shumë të çmueshëm e të njerëzishëm që na kanë dhënë hëm kur kemi qenë shumë në zor e pasur nevojën e tyre, hëm sot kur e kemi përkrahjen e tyre”.

Atë natë jo, por të nesërmen hoqëm dorë nga restorantet. Na mbeti të zgjedhnim, për këtë takim të sotëm, Bibliotekën Kombëtare të Kosovës ose Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës. E zgjodhëm të dytin për arsye se, siç thashë në paragrafin e parë, për universitetin Mavraj ka kontribuuar më shumë sesa për bibliotekën. Pastaj, se aty ka shokun e vet më të mirë, shokun e Lëvizjes Studentore të vitit 1997 – Bujar Dugollin, por edhe ish-gazetarin e vet, sot profesor në këtë fakultet, Arsim Sinanin, edhe disa bashkëpunëtorë të gazetës, me të cilët, ndër temat e përditshme, edhe kur jemi në fushë futbolli, ka cilësinë sa më të mirë të arsimit dhe të arsimimit në universitet, të studentëve të universitetit publik dhe të atij privat. E morëm parasysh kërkesën e tij dhe që nga ajo ditë po shkonim kah thjeshtësia, kah dukja e sotme e këtij organizimi. Por, para se të bëheshim sot bashkë, kishim punë të tjera për të bërë.

Numri 6000 i gazetës, pas 25 janarit, vinte më shpejt sesa që kishin shkuar të kaluarit. Presionin e numrave e përjetonte më shumë drejtori i përgjithshëm, Sadik Zeqiri, i cili merrej me punët më të imëta e deri tek ato më të mëdhatë. Natyrisht, e kishte edhe përkrahjen e kolegëve, posaçërisht të Arsim Sinanit, me të cilin, po ashtu edhe me Mavrajn, u takuam në fillim të shkurtit aty përkrah Fakultetit të Filologjisë dhe hartuam skenarin e sotëm, kaq të thjeshtë: takimin e sotëm këtu, me këta që kanë ardhur e me të tjerët që s’kanë mundur të vijnë për shkaqe të ndryshme, për ta pirë nga një kafe ose lëng frutash, për ta ndërruar nga një cigare, për të shpalosur ndonjë kujtim, për t’i dhënë dikujt ndonjë mirënjohje, dikujt tjetër ndonjë falënderim, ndonjë laps e numër gazete e për t’ia kujtuar secilit të pranishëm, se koha kalon, se ne plakemi dhe mplakemi, por s’harrojmë kontributin tuaj në gjithë këta numra të gazetës e në historinë e saj njëzetvjeçare, të cilën punë të përbashkët e kujtuam nëpërmjet paraqitjes së dhjetëra ballinave të gazetës botuar ndër vite, që nga koha e gurthemelimit, pastaj që nga koha dhe nga goditjet e mëdha financiare nga të cilat “Epoka…” shpëtoi disa herë, por simotrat e saj, fatkeqësisht, ranë përtokë dhe nuk u çuan kurrë më. Po u jap shpirt dhe po u shpreh ngushëllime për to, themeluesve të tyre: Ndjesë paçin!

Kur ato ranë u pa sa e rëndësishme është media fizike, njëkohësisht sa është e vështirë për t’u mbajtur gjallë. Kur ranë edhe disa të tjera ndërkohë, u pa se media e shtypur nuk mbahet pa lexues, pa publikime dhe pa përkrahje nga institucionet qendrore dhe lokale, të cilat, sa për ta paraqitur punën e vet dhe për t’ia treguar publikut dhe arkivuar në institucione të kujtesës kombëtare, shtypit po i japin nga një shtyrje të lodhshme nëpërmjet ndonjë njoftimi, nëpërmjet ndonjë shpalljeje, nëpërmjet ndonjë reklame ditëshkurtër ose javëgjatë. Por, jo edhe ndonjë grant nga qeveria, e cila, historinë e këtyre mediave të shkruara, me traditë njëzetvjeçare, duhet ta ruajë sikurse dokumentet më të rëndësishme të vetat ose sikurse që i ruan dhe i mbështet materialisht revistat për letërsi dhe kulturë Ministria e Kulturës. Po, duhet t’i mbështetë shumë, sepse këtyre mediave, qeveria, institucionet kulturore dhe arkivore, do t’ua dinë rëndësinë shumë më vonë, kur punën e vet s’do të mund ta gjejnë në median elektronike.

Dhe meqë në 5 999 numra kemi shkruar e trajtuar tema nga A deri në Zh, numrin 6 000, në vend të botimit të një monografie në këtë njëzetvjetor, e rezervuam për vete. Idenë, për këtë numër tematik të gazetës, meqë në këtë takim nuk ftuam as analistë dhe as politikanë, e dhashë unë dhe e tumirën Mavraj, Sadiku dhe Arsimi. Edhe kryeredaktori, Mala. Për ta botuar kështu si është botuar sot, duhej ta shpalosnim kujtesën personale dhe atë kolektive publikisht, pa fshehur gjë dhe për t’i rrëfyer ndodhitë sa më natyrshëm. Kështu na ka porositur edhe Noli para shtatëdhjetë vjetësh. Duhej t’i pyesnim bashkëpunëtorët çfarë kujtime individuale keni dhe çfarë kolektive në kohën sa keni qenë (ju që më nuk jeni) dhe ju që jeni në gazetë. Ftesës, për këtë numër tematik, iu përgjigjën shumë kolegë gazetarë. Kur i mblodhëm shkrimet e tyre dhe po i faqosnim me “Dajën” (Shkëmbim Krasniqin), unë ngula këmbë që shkrimin më të gjatë ta shkruaja unë, ani pse, disa vjet më parë, dy a tri shkrime të tilla, po kaq të gjata, i pata shkruar me rastin e ditëlindjes jo të gazetës, por të punës sime në gazetë.

 

Nga “Epoka” vij në “Epokë” kthehem

 

Në vitin 2006 erdha të punoja në gazetën “Epoka e re”, gazetar kulture dhe lektor. Punova vetëm nëntë ditë. Asnjë ditë dhe asnjë natë s’u takova me botuesin, se unë dilja nga redaksia në orën 21.00 e ai vinte më vonë. Ditën e dhjetë të punës e vazhdova në gazetën “Infopress”. Nuk vajta në këtë të fundit sikurse kishin pas vajtur disa para meje, pa paralajmërim. Shkova me paralajmërim. I bëra me dije botuesit nëpërmjet e-mailit tri herë, edhe drejtorit në një takim për vajtje atje. Edhe njëri edhe tjetri heshtën. Unë veprova. Shkova në “Infopress”. Shtatëdhjetë për qind e stafit të saj ishte i “Epokës së re”. Por, kishte edhe pak gazetarë të mediave të tjera. Ishte një gazetë e re dhe korrte, si kombajna grurin, të hyra të shumta nga reklamimi nga institucione dhe kompani. Punova aty shtatë muaj, fillimisht lektor, bashkë edhe me dy lektorë të tjerë, pastaj përgatitja edhe një vitrinë libri, një shtojcë të vogël kulture e cila kurrë nuk dilte e plotë sepse sa herë që vinte një faqe reklamë a shpallje pas orës 20.00, hiqej një faqe kulturë, e sa herë që vinin dy faqe reklamë a shpallje tenderësh, hiqej edhe një faqe sport. Me kalimin e muajve mua më shtohej puna, por jo edhe paga. Botuesi, Rexhep Hoti, në muajin e dytë të punës bërë aty, më pati premtuar, pos pagës së lektorit, edhe 150 euro të tjera shtesë në muaj për shkrimet për kulturë (për atë vitrinë libri, për ato poezi që i përzgjidhja dhe i komentoja). Në muajin e tretë, kur shkova ta merrja pagën e muajit të dytë te zonja Sheki (më duket kështu quhej ose e quanim), e mora vetëm të lektorit, pa shtesë. Ajo u arsyetua se botuesi nuk i ka thënë të bëjë pagesë më të madhe se 280 euro. Mund të ketë harruar, mendova. Do të ma kompensojë në muajin tjetër, ndoshta! E muaji i tretë erdhi shpejt. Prapë e njëjta pagë dhe prapë i njëjti premtim për shtesën. Kështu vazhdova të punoja edhe katër muaj të tjerë, me të njëjtën pagë e me të njëjtin premtim nga botuesi.

Në fillim të muajit të tetë, kur u bë boll, një natë botuesi erdhi në redaksi. Zbrita në katin e parë, kur gazeta vlonte nga paratë dhe iu futa në zyrë që t’i merrja paratë e mia. “Shef, ka nisur muaji i tetë dhe deri më sot, prej që jam këtu, asnjëherë nuk më është dhënë shtesa e premtuar prej 150 eurosh për shkrimet për kulturë”. Ai bënte diçka në kompjuter dhe heshtte, unë rrija në këmbë duke pritur këtë përgjigje të tij: “Car, puno, se t’i jap”. “Që shtatë muaj po punoj. Që shtatë muaj po pres shtesën për punën. Duhet të m’i japësh sonte sepse më duhen dhe m’i ke premtuar”. U përgjigj shpejt duke fërkuar kokën: “Hajt bre car se t’i jap…” E fërkova kokën edhe unë dhe i thashë: “Nëse nuk m’i jep sonte unë nesër nuk vij në punë”. Qeshi dy a tri herë dhe tha: “Vjen, vjen”. Dola nga zyra, u ngjita në katin e dytë, e vazhdova punën e lekturës dhe kolegëve, atyre tre-katër vetave që kishin mbetur ende në redaksi, u thashë se nesër nuk do të vija në punë. Ekremit dhe Mimozës (lektorëve), të cilët nuk ishin aty, u shkrova letër dhe u bëra me dije që nesër duhej të dilnin më herët në punë sepse kishin punë më shumë, se duhej ta bënin edhe punën time. Ekrem Kryeziu dhe Bedri Halimi nuk bindeshin se po e lija punën sepse më thoshin se Rexhën e ke jaran. Por, jaranit ia ngulte, se kinezët s’i kishte aty!

Ende pa e kryer punën mirë, kolegu i studimeve në Degën e Gazetarisë, Demir Reshiti, nëpërmjet MSN-së 8.00 më pyet nëse do të merrja pjesë nesër në ligjëratën e Milazim Krasniqit në Hyrje në gazetari. I bëra me dije se do të vija. Kur u interesua si po ia kaloja në “Infopress”, e njoftova se deri sonte mirë, e që nga nesër duhet të gjej një punë tjetër. “Eja në ‘Epokë’, shoq! Kemi nevojë për lektor. Fol me Padishahun (kështu e quante Mavrajn)”. “Jo, jo, do të këqyri të bëj një punë tjetër” – i thashë Demës. Përtoja t’i shkruaja një ish-shefi që s’e kisha takuar asnjë natë prej atyre nëntë ditëve e nëntë netëve. Pas pak minutash, sigurisht pas propozimit të Demirit, më shkroi vetë Mavraj. Ma nisi vetëm një pikëpyetje që më dukej se vallëzonte dhe bënte gjimnastikë në ekranin e kompjuterit. Kurrë një të tillë nuk e kisha parë më parë. U përshëndetëm me Mavrajn. S’më kishte harruar. Ai më pyeti për punë dhe unë i thashë se që nga sonte jam pa punë, se nuk e kam shumë për ngutë punësimin. Por, ai më tha:

– “Nëse do, eja te ne”.

– “Kur?”

– “Sonte”.

– “A bën nesër?”

– “Bën edhe pasnesër, por na duhesh sonte”.

– “Në rregull. Tash vij”.

Në një usb i futa disa prej dokumenteve që i kisha në kompjuter, e ndala kompjuterin, u përshëndeta me kolegë dhe dola nga redaksia e “Infopress”-it dhe në orën 21.43 shkela pragun e redaksisë së “Epokës së re”.

– “Mirë se erdhe, shoq!” – më uroi Demiri, pastaj “Daja” karshi tij. Në fund të redaksisë, i vetëm, me një çaj a kafe të zezë përpara e cigare e libra përplot tavolinën, më priste Muhameti, çehrerëndë, i cili, para se të më urojë mirëseardhje dhe mbarëvajtje, më tha: “Ke ardhur ke punuar këtu, tetë muaj më parë, vetëm tetë a nëntë ditë. Nëse ke plan afatshkurtër, mos ia nis punës, mos na mundo as neve e as veten. Nëse pranon të punosh, mos të shkojë mendja të dalësh nga këtu, të paktën dy vjet”. U pajtuam për kushtet e punës dhe për pagën dhe lidhëm marrëveshje gojore, burrërisht: “Të paktën dy vjet”. Atë natë ia fillova punës. Kur e mbaruam përgatitjen e gazetës dhe pasi i shtypëm faqet në pause dhe i dërguam në shtypshkronjën “Rotoprint”, me “Dajën” ndenjëm në restorante të Prishtinës derisa u zdritë.

Të nesërmen, rreth orës 13.00, më telefonoi Bedri Halimi:

– “Tarrnakop, ku je?”

– “Në qytet, axhi Bedro”.

– “Hajde n’punë se ky tarrnakopi tjetër [Rexha] është ba shumë nervoz”.

– “E kam la punën. I kam kallëzu pramë shefit, edhe ty e Ekremit dhe të tjerëve”.

– “Hajde more tarrnakop, se t’i jep paret, mos ta nin”.

– “Jo, jo, asht kry kjo punë. Është dashtë me m’i dhanë pramë. Tash kam fillu punën në ‘Epokën e re’”.

– “Po a?!”

– “Po, po”.

Pas kësaj bisede me Bedri Halimin, pak minuta më vonë më telefonon edhe Ekrem Kryeziu, pastaj edhe Rexhep Hoti, i cili, i mllefosur, murmuron me gojë dhe e ndërpret telefonin. Pavarësisht prej premtimeve të tjera e raporteve shoqërore e të mira që kishim krijuar ndër muaj, tashmë kisha marrëveshje me një tjetër njeri. Të paktën, për dy vjet.

Në ditën e dytë të punës në vend pune dola më herët. Doja t’i njihja kolegët që s’i kisha takuar. “Epokën e re” vazhdonin ta redaktonin Burim Etemaj dhe Xhevdet Fetahu, ta korrektonte Xhema me një tjetër e të shkruanin Rabie Bala, Minire Berisha, Mal Qorraj, Veton Zymberi, Albulena… erdhën ndërkohë edhe Jetliri, Shqipja, Muhameti, Qëndresa, Albani, Bublaku, Afeti, Lira, Arsimi, Fatoni, Geci, Koci e sa e sa të tjerë. Disa, ndërkohë shkuan e disa, ndërkohë, erdhën. Para këtyre, po edhe para meje, duke hulumtuar arkivin e “Epokës së re”, më dilnin para emra gazetarësh të njohur, drejtues të mediave të mëdha dhe publike, të cilët mësimet e para të gazetarisë i kishin marrë në “Epokë”. Gjeja, në përbërjen e redaksisë së gazetës, emrin e Imer Mushkolajt, të Lulëzim Etemajt, të Arben Atashit, të Ernest Lumës e në faqe të gazetës atë të Mentor Shalës, të Ramize Murtezi-Shalës e shumë e shumë të tjerëve, të mbi 100 vetave. (Një listë, me emrat e gazetarëve dhe ish-gazetarëve të “Epokës së re” e stafit të saj, gjatë njëzet vjetëve të saj, po ia bashkëngjis këtij shkrimi. Ndonjë mund ta kem harruar).

 

Kujdestari i punës sime

 

Botuesin e gazetës, Muhamet Mavraj, para se të vija në “Epokë” e njihja pak. Më shumë më kishin folur për fytyrën dhe karakterin e tij të tjerët sesa që isha interesuar ta njihja vetë. Ai, në vitet 2007, 2008, 2009, edhe para këtyre viteve, vinte vonë në gazetë dhe rrinte deri në mëngjes. Hapat dhe frymën e tij i dëgjonim dhe ndienim teksa ngjitej shkallëve, teksa kalonte korridorit të ngushtë dhe të gjatë. Kishte net që nuk bënte asnjë sy gjumë. Sa rrinte aty pinte çaj, pinte kafe, pinte cigare. Ujë, rrallë. Bukë hante edhe më rrallë. Kotej në karrige. Lexonte në karrige dhe në dysheme. Kur vinte mbrëmja, pasi redaktorët i redaktonin tekstet e unë i lekturoja, hynte edhe një herë në to vrap dhe gabimet që i kishin lëshuar ata dhe i kisha lëshuar unë i përmirësonte. Në vitin e parë punës sime i ka ndenjur gati shumë. Kam mësuar shumë nga ai për gjuhën shqipe. Unë punoja shpejt, por s’bëja lekturë aq të mirë sa ai. Pak, po arsyetohem tash për atë kohë, më dukej ngarkesë t’i lekturoja 32 faqe për tri-katër orë në vitin e parë. Por, me përkrahjen e përçdonatshme të tij, për rreth një vit e gjysmë bashkëpunim dhe vendosmëri, pa hatërmbetje, u bëra më i mirë sesa ai sepse ia nxora nga zyra “Fjalorin e shqipes së sotme”, “Fjalorin e drejtshkrimit”, revistën “Gjuha shqipe”, disa vëllime të materialeve për gjuhën paraqitur dhe botuar në Seminarin e Gjuhës Shqipe e disa libra të tjerë, kryesisht për gjuhën, të cilët i kishte lexuar dhe nënvizuar me laps dhe ngulitur në mendje rregullat e tyre. Dikur, kur kishte tjetër çfarë të bënte, kur i shkruante dy punimet e diplomës së masterit e dy të doktoratës e punimet e seminarit, nuk e bënte më punën e kujdestarit të gjuhës shqipe. Sa herë që s’i kontrollonte tekstet aq herë ndihesha i pasigurt për punën e bërë. Ma besoi dhe ma la në duar redaktuarën gjuhësore të gazetës për 13 vjet, hu kalli vetëm! Të tjerëve, menaxhimin e saj dhe publikimin e saj. Mavraj, si sot, si në ditët e para kur e njoha, është i njëjti njeri: i thjeshtë, i ndershëm, i vendosur. Kur më zë në ndonjë qoshe, pasi unë i zë të tjerët në qoshe dhe përplasem me ta me shkrime për probleme, më porositë: “Mos i godit njerëzit kur rrëzohen përtokë. Po pate mundësi ndihmoju”. Kam mësuar edhe nga këto fjalë. Edhe nga kjo rregull jete, e lindur nga përvoja e tij. Nuk ka dalë një gazetar nga kjo medie të ketë shkuar diku tjetër e të ketë thënë “ai na ka nxitur të shkruaj keq për ju”. Problemeve të mëdha dhe temave të mëdha u ka rënë me emër të vet. Me buxhet të vetin, kur s’ia jepnin mundësinë mediat e tjera, ia ka shtrirë dorën edhe shokut të vet më të ngushtë – atij të kauzës së përbashkët – Albin Kurtit, Lëvizjes së tij Vetëvendosje, së cilës i publikonte një herë në javë një shtojcë me reagime dhe kundërshtime të fuqishme ndaj pushtetit. Këto nuk harrohen. Këtë rebelizëm të Albinit dhe të Vetëvendosjes, po ritheksoj, për shkak të ruajtjes së bashkëpunimit me institucione shtetërore dhe drejtues të tyre, nuk e shprehnin në hapësirën e vet gazetat e tjera. “Epoka”, po.

 

Vakitë me “Dajën”

 

Pjesën më të madhe të kohës, prej 13 vjetëve të mia punë, e kam kaluar me Shkëmbim Krasniqin – “Dajën”. “Dajën” dajë nuk e ka pasur dhe as nuk e ka kush në gazetë. Shok, të gjithë. Nja pesë vjet shpeshherë bashkë kemi fjetur në një shtrat. Dhe meqë ishte djalë i mirë dhe i familjes së mirë u bëra mesit dhe të vëllait të tij i nxora për grua çikën e xhaxhit të babait. Meqë “Daja” udhëtonte për çdo ditë me një veturë “Golf 3” (GTI) nga fshati Tërrpezë në Prishtinë dhe anasjelltas, doja që ndonjë ditë, kur ishte i dërrmuar fort nga lodhja në punë dhe për gjumë, sepse rrinim bashkë deri në mëngjes duke pritur daljen e gazetës nga shtypi, të flinim në banesën që kisha marrë me qira. Binim herët, kur zgjoheshin të tjerët e zgjoheshim vonë, kur binin të tjerët. Këtë punë të vonë e bënim shkaku i vonesës së punëve të Demirit në redaksi dhe të Mavrajt që s’i bëhej kurrë vonë sepse ishte i bindur, siç është edhe sot, se kurrë, për asnjë gjë, nuk bëhet vonë. As për shtypjen e gazetës.

Me “Dajën”, gjatë pesë vjetëve të para të punës, shkonim në restorantin “Gizi” në Veternik. Rrogën e shpenzonim për qira, për të ngrënë, për të pirë birra dhe “Coca Cola”, për të pirë cigare dhe kafe dhe për të blerë rroba. Edhe pse merrnim shumë para nuk dinim të kursenim aspak. Jeta e natës ishte më e kushtueshme se jeta e ditës. Por, jeta nuk planifikohet. Mund të ndodhë ndonjë e papritur që ta prish krejt planin. Prandaj ne shpenzonim shumë, por nuk shpenzonim para për drogë dhe për kurva. “Daja” as për dashnore, se e kishte gruan e nja dy fëmijë, kurse unë shpenzoja edhe ndonjë para për dashnore, se ende isha “free”. Pastaj, pasi e bleva veturën e tij të shpejtë “Golf 3”, e zura një vajzë dhe e bëra grua dhe e lashë me barrë. Jeta ime mori kthesë tjetër dhe rrëfim tjetër. Po një prej rrëfimeve të “Dajës” e kam të regjistruar në mendje. Ai shpeshherë e përmend sepse shpeshherë ia kërkoj. Ai tregon se një ditë paratë për shtypjen e gazetës botuesi i kishte shpenzuar. Megjithatë, ai punonte edhe për numrin e nesërm pa e pasur asnjë metelik në xhep. Veresi gazetën s’e shtypte askush. Kursime shefi nuk kishte. Pasuri të patundshme jo. Teshat e trupit veshur, një orë dore, libra dhe fletore e lapsa, me bollëk, të cilat mund t’i kushtonin shumë pak po qe se do t’i nxirrte në ankand. E kishte edhe veturën “Opel Omega” e cila edhe nuk punonte mirë, edhe shpenzonte shumë. Për ta botuar gazetën në ditën e premte, Mavraj e kishte porositur “Dajën” ta nxirrte veturën në shitje dhe ta shiste sa për t’i botuar pesë-gjashtë numra të gazetës. Të enjten, pasi e kishte dorëzuar gazetën në shtyp dhe kishte pritur, deri në orën 4.30 të mëngjesit, derisa të ngarkoheshin ekzemplarët në kombit e rrjetit shpërndarës të “Rilindjes”, ia kishte mësyrë tregut të madh të Malishevës që hapej të enjten. Kishte mbërritur në treg herët. “I treti, – thotë, – kam hi në parkingun e pazarit”. Pasi e ka lënë veturën aty dhe i ka mbyllur dyert, ia ka krisur një gjumi të rrallë e të gjatë. “Kam hi n’pazar, i kam mshel dyert e kerrit dhe ia kam fut gjumë. M’ka dalë gjumi n’pesë n’mbramje. Kur jam qu, asni njeri n’pazar. Krejt dy-tri kerre e tre-katër njerëz. E kam dhezë kerrin dhe ia kam msy Prishtinës. Halli tash, çka me i tha shefit! Nëse më thotë a veti kush për kerr, çka me i tha? Erdha n’redaksi dhe pas pak kohe erdh shefi. Më veti: ‘Dajë, a e shite kerrin?’ Duke u rrëqeth i thashë: ‘Jo vallai shef, se kërkush s’më ka vet’. Dhe nime s’më ka vet kërkush. Nashta ka ardh najkush te kerri, po njerin e lemë ni s’e kam. Isha kanë ba qull. U nisha keq tash për gazetë. Shefi dojke me e shit edhe kerrin veç për me shtyp gazetën. Po, ma në fund, ai prapë ia nisi me punu për gazetë dhe unë me faqos dhe i bamë paret dhe e çumë gazetën në shtypshkronjë dhe e shtypëm”.

 

Doja të hapja portal, e botova një revistë

 

Dy vjet më parë fort me që mbushur mendja të hapja një media elektronike. I numëroja në gishta të dorës e të këmbës disa “askusha”, disa ish-nxënës, disa ish-studentë dhe disa ish-gazetarë të dobët që, nëpërmjet portaleve, por nëpërmjet servilitetit të pashoq, ishin bërë “dikusha”, ndonjëri prej tyre duke u tërhequr si zvarranik përballë të pasurve dhe të pushtetshmëve, ndonjëra duke zgjatur duart e gjithë trupin drejt tyre, duke shkelur parimet njerëzore dhe gazetareske! Natyrisht, nuk doja të bëja një media të tillë, as të punësoja zvarranikë dhe parazitë. Njerëz të ndershëm, të mençur dhe punëtorë, po. Por, ato ditë sa mendoja për këtë media, u çua dhe erdhi afër gazetës së vet, “Epoka e re”, botuesi i saj dhe në prani të profesor Ekrem Kryeziut, në restorant “Mexicano”, na thotë mua dhe “Dajës”: “Sa të jem gjallë unë do të jetë gjallë edhe ‘Epoka e re’. Dhe sa të jetë gjallë ‘Epoka e re’ do të jeni ju këtu, me këto kushte pune e me këto paga si deri sot. Nëse gjeni ndokund tjetër më mirë, kallëzomëni”.

As unë e as “Daja”, edhe pse atë qenë përpjekur ta merrnin punëtor shumë vite më parë disa botues gazetash, edhe mua më patën ardhur disa oferta ndër vite nga media të tjera, s’kemi provuar të shkojmë tjetërkund. Të bëja një medie timen, po. Dhe e bëra, e fillova botimin e revistës “Akademia”, për të cilin përkrahje më kanë dhënë botuesi dhe drejtori, të cilët ka kohë që nuk i kam më shefa. I kam familjarë. U kam dhënë dhe më kanë dhënë bukë. Kam ndarë gëzime dhe pikëllime me ta. Jam familjarizuar. Jemi bërë një. Jemi bërë grusht. Dhe jemi bërë më të fortë. Rrofshin!

“Epoka e re” dhe Muhameti paçin shëndet të mirë dhe jetë të gjatë, edhe ju kolegë të mirë e të sjellshëm! E festofshim 100-vjetorin e saj! Nëse ne jo, trashëgimtarët gjithqysh!

Gëzuar!

 

EPOKA E RE (2000-2020)

(Gazetarët dhe ish-gazetarët e “Epokës së re” gjatë njëzet vjetëve. Ndonjë mund ta kemi harruar)

1 Afet Bela

2 Aferdita Maliqi

3 Agim Muhaxheri

4 Ahmet Bilalli

5 Ahmet Tmava

6 Alban Zeneli

7 Albert Ademi

8 Albert Shala

9 Albulena Mavraj

10 Arben Atashi

11 Arben Mlinaku

12 Arbenita Kamberi

13 Arbër Grabovci

14 Arbert Abdyli

15 Arbresha Baftiu

16 Argin Kelmendi

17 Arieta Gashi

18 Arizona Dibra

19 Arlinda Sejdiu

20 Arsim Lani

21 Arsim Osmani

22 Arsim Sinani

23 Arta Sylejmani

24 Artan Mustafa

25 Astron Mahmutaj

26 Avdullah Hoxha

27 Avni Azemi

28 Avni Makolli

29 Aziz Bytyçi

30 Bajram Lani

31 Bajram Smakaj

32 Behram Krasniqi

33 Bekim Ademi

34 Beqir Beqaj

35 Berat Dakaj

36 Besart Krasniqi

37 Besim Muhadri

38 Besnik Dema

39 Besnik Krasniqi

40 Bislim Berisha

41 Blerim Çoçaj

42 Blerina Veseli

43 Burim Etemaj

44 Daut Gashi

45 Demir Reshiti

46 Donika Bunari

47 Driton Bublaku

48 Driton Hajrizi

49 Driton Kamberi

50 Driton Lajçi

51 Driton Leku

52 Driton Paqarada

53 Ekrem Kryeziu

54 Elmedina Ballazhi

55 Emine Rushiti

56 Enver Maloku

57 Eranda Nepravishta

58 Ernest Luma

59 Fahri Axhalena

60 Fatma Restelica

61 Fatmir Bytyçi

62 Faton Dermaku

63 Faton Polisi

64 Fazli Muharremi

65 Fehmi Ajvazi

66 Fehmi Baftiu

67 Fehmi Gegaj

68 Fehmi Sylejmani

69 Fehmi Maloku

70 Fidajete Geci

71 Florije Ademi

72 Ganimete Muli

73 Gazmend Morina

74 Gëzim Pozhegu

75 Haki Hysenaj

76 Hamdi Miftari

77 Heset Zymberi

78 Hysni Syla

79 Igballe Imeraj

80 Ilir Kabashi

81 Imer Mushkolaj

82 Islam Haxhiu

83 Ismail Gagica

84 Ismail Rexhepi

85 Jahja Tmava

86 Jasemina Mulaku

87 Jehona Veliu

88 Jetlir Zyberaj

89 Jeton Kelmendi

90 Jeton Musliu

91 Jeton Osmanaj

92 Jeton Rushiti

93 Jeton Mazrekaj

94 Kimete Islami

95 Kimete Krasniqi

96 Kreshnik Sylejmani

97 Kujtim Shala

98 Liridon Ibërdemaj

99 Lirije Klaiqi

100 Lirim Geci

101 Lulzim Ahmeti

102 Lulzim Etemaj

103 Lulzim Sahiti

104 Mal Qorraj

105 Malsore Llapashtica

106 Mangji Gashi

107 Marin Kelmendi

108 Melisa Demiri

109 Mentor Gojani

110 Mentor Shala

111 Mihrije Krapi

112 Milaim Syla

113 Milazim Kadriu

114 Mimoza Hoxha

115 Minire Berisha

116 Miradije Aliu

117 Miradije Gashi

118 Muhamet Jahiri

119 Muhamet Koci

120 Muhamet Mavraj

121 Musa Ramizi

122 Musa Sabedini

123 Musli Krasniqi

124 Myrvete Haxholli

125 Naim Zeqiri

126 Nebih Behluli

127 Nexhat Çoçaj

128 Nexhat Krasniqi

129 Nexhmije Ahmeti

130 Ngadhnjim Ademi

131 Nijazi Ramadani

132 Prend Buzhala

133 Qemajl Krasniqi

134 Qëndresa Fazliu

135 Qendresa Mustafa

136 Qendresa Rama

137 Qerim Rexhaj

138 Ragip Guraziu

139 Ragip Gjoshi

140 Ramize Murtezi

141 Rexhë Hasani

142 Rexhep Tërshnjaku

143 Ridvan Berisha

144 Rifat Buzuku

145 Rifat Sadikaj

146 Rinor Beka

147 Rrahman Jasharaj

148 Rrushe Haxhaj

149 Sabahate Shala

150 Sadete Bajrami

151 Sadik Zeqiri

152 Safete Makolli

153 Sali Beqiraj

154 Saranda Geci

155 Seman Shala

156 Sheribane Hashani

157 Shkelzen Çoçaj

158 Shkembim Krasniqi

159 Shpend Çoçaj

160 Shqipe Hetemi

161 Skender Idrizi

162 Tomor Grabovci

163 Uran Krasniqi

164 Valdete Elshani

165 Veton Zymberi

166 Xhavit Nura

167 Xhevdet Fetahu

168 Ylldije Sulka

169 Zanë Zyba

170 Zymer Osmani

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Blerja e dytë më e shtrenjtë në historinë e Bayern…