ZKA-ja: MMPHI lidhi 26 kontrata të negociuara në vlerë prej 5.7 milionë euro

31 tetor 2022 | 12:52

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin e performancës me temën “Prokurimet e negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) në vitin 2021”.

Fokus kryesor i auditimit janë aktivitetet e prokurimit me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, përmes së cilave MMPHI-ja kishte shpenzuar shuma të konsiderueshme të parave. MMPHI ka lidhur 26 kontrata të negociuara me vlerë të përgjithshme prej 5.7 milionë euro vetëm në vitin 2021 duke e rendit si një nga ministritë që më së shumti ka përdor këtë lloj procedure.

Aktivitetet e prokurimit, në çdo autoritet kontraktues duhet të zhvillohen në pajtim me parimet e ekonomisë, efikasitetit dhe trajtimit të barabartë, parime të sanksionuara me ligjin e prokurimit publik. Këto parime kanë për qëllim të sigurojnë se prokurimi për mallra, shërbime dhe punë e arrin qëllimin e përcaktuar si dhe ndihmon organizatën në arritjen e objektivave të saj.

Përmes këtij auditimi në MMPHI, synojmë që të vlerësojmë sa ishte i arsyeshëm dhe në përputhje me kornizën ligjore të prokurimit publik përdorimi i procedurës së negociuar nga ana e Ministrisë, a është dokumentuar si duhet përdorimi i kësaj procedure dhe a është arritur vlera për para në këto projekte.

Fushëveprimi i këtij auditimi janë kontratat e lidhura përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, në vlerë afër 4.9 milionë euro (14 kontrata).

Ky auditim synon të rris llogaridhënien, transparencën dhe integritetin e aktiviteteve të prokurimit publik në MMPHI dhe aty ku është e nevojshme të ofroj rekomandime që fondet e shpenzuara publike arrijnë vlerën për para.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e Ballkanit të enjten do të përballet me CFR…