Këta janë djemtë atdhetarë që mobilizuan mbi 1600 protestues nga Zvicra drejt Hagës
Më 14 shtator 2025, mbi 1600 protestues u nisën nga Zvicra për në Den Haag, për të marrë pjesë në demonstratën madhështore në mbështetje të vlerave të luftës. Pas këtij organizimi të jashtëzakonshëm qëndrojnë disa djem atdhetarë, të cilët me përkushtim e sakrificë bënë që gjithçka të funksionojë deri në detaj.
Për më shumë se tre javë me radhë, pa ndalur asnjë ditë, ata qëndruan në terren. Organizuan, mobilizuan dhe në fund, deri në momentin kur i përcollën protestuesit, ishin pranë tyre duke u siguruar që çdo gjë të shkonte siç duhej.
Edhe pse nuk e vunë kurrë veten në qendër të vëmendjes – madje refuzuan intervista duke thënë: “Jemi të zënë me punë, pas misionit flasim” – vepra e tyre flet më shumë se çdo fjalë.
Janë njerëz të heshtur, me një energji të jashtëzakonshme brenda. Djem që flasin pak, por veprojnë shumë.
Këta djem kanë thënë se pas më shumë se tri javësh angazhim, takime e mobilizim të pandërprerë, ndihehen thellësisht mirënjohës për punën e madhe që kanë bërë së bashku.
“Në 19 kantone të Zvicrës, koordinatorët dhe vullnetarët treguan solidaritet dhe përkushtim të jashtëzakonshëm në terren. Ju falënderoj secilin veç e veç për energjinë dhe sakrificën tuaj.
Një falënderim i veçantë shkon për të gjithë donatorët që mundësuan transportin falas pa ju, kjo protestë nuk do të kishte arritur këtë përmasë.
Të dielën në Hagë, treguam se kur jemi të bashkuar mund ta ngremë zërin kundër padrejtësive që po u bëhen krerëve të Luftës dhe të Paqes. Atje nuk po gjykohen vetëm individë, por vetë liria jonë, shteti ynë, dinjiteti ynë kombëtar.
Ne nuk do të ndalemi derisa çlirimtarët tanë të jenë të lirë! Ata ishin gati të jepnin jetën për ne; sot është radha jonë të mos i lëmë vetëm.
Një mirënjohje e madhe për të gjithë bashkatdhetarët që jetojnë në Zvicër dhe kudo në botë ju treguat se kur bashkohemi, zëri ynë dëgjohet fort!”, kanë shkruar në falënderimin e tyre Kadriaj, Shala, Krasniqi, Mullaabazi e Tahiri.
Respekt dhe mirënjohje për këta shqiptarë të ndershëm, patriotë dhe liridashës: Shaip Kadriaj, Xheladin Shala, Adhurim Krasniqi, Zuhdi Mullaabzi, Sami Tahiri dhe të tjerë që dhanë kontributin e tyre për këtë organizim historik.




