Mbappe nuk beson se Real Madridi varet prej tij: Mendoj se është më shumë një sajesë nga gazetarët
Sulmuesi i Real Madridit, Kylian Mbappe, ka hedhur poshtë pretendimet se loja e madrilenëve varet nga paraqitjet e tij individuale.
Pas ndeshjes së fazës së grupeve në Ligën e Kampionëve kundër Olympiacosit (3–4), ku francezi shënoi katër gola, një gazetar e pyeti nëse madrilenët janë bërë të “varur nga Mbappe”.
“Mos e thoni këtë. Mos thoni se fituam falë Kylianit. Me gjithë respektin, kjo është një pyetje e gabuar”, u përgjigj Mbappe.
Mbappe theksoi se Real Madridi nuk varet prej tij, duke shtuar se fitorja vjen nga puna e gjithë skuadrës dhe se “varësia nga Mbappe” është një ide e krijuar nga jashtë.
“Secili në skuadër ka detyrën e vet. Detyra ime është të shënoj gola, por pa shokët e ekipit nuk do të fitonim. Çdo skuadër ka lojtarë që duhet të bëjnë punën e tyre, por nuk mendoj se ekziston ndonjë varësi këtu. Mendoj se është më shumë një sajesë nga gazetarët ose njerëzit jashtë ekipit”, përfundoi Mbappe.



