Në Malishevë u zbulua pllaka përkujtimore në shtëpinë ku kishin qëndruar krerët e ilegales së UÇK-së (1993–1997)
Sot, në Malishevë, në organizim të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së) – Nëndega në Malishevë, dhe në bashkëpunim me familjen e Feriz Metë Mazrekut, u mbajt ceremonia e përurimit të pllakës përkujtimore në shtëpinë ku nga viti 1993 deri më 1997 kishin qëndruar krerët e ilegales së UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe bashkëpunëtorë të tjerë.
Në këtë ceremoni morën pjesë përfaqësues institucionalë, familjarë të ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, bashkëluftëtarë, përfaqësues të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, si dhe qytetarë të shumtë.
Para zbulimit të pllakës u mbajtën fjalime rasti. Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, vlerësoi rëndësinë historike të kësaj shtëpie, duke theksuar se ajo përfaqëson një dëshmi të kontributit të Malishevës në luftën çlirimtare dhe në përpjekjet për liri.
Fjalë rasti mbajti edhe ish-themeluesi i UÇK-së, Nait Hasani, i cili vlerësoi rolin e kësaj shtëpie dhe të familjes Mazreku si bazë e rëndësishme e veprimtarisë ilegale në atë periudhë. Po ashtu, kryetari i OVL-së së UÇK-së, Hysni Guncati, theksoi se ky përurim përbën një dëshmi të mbështetjes së vazhdueshme të popullit për UÇK-në.
Në emër të familjeve Thaçi dhe Veseli, Ismet Veseli shprehu mirënjohjen për familjen Mazreku dhe për të gjithë ata që kontribuuan në organizimin e kësaj ceremonie përkujtimore.
Në fund të ceremonisë u bë zbulimi i pllakës përkujtimore me mbishkrimin:
“Në këtë shtëpi, nga viti 1993–1997, qëndruan dhe vepruan krerët e ilegales së UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, së bashku me bashkëpunëtorët e tyre. Nga këtu u morën vendime të rëndësishme për kombin.”
Komuna e Malishevës vlerëson lart sakrificën e të gjithë atyre që kanë kontribuar në rrugën e popullit tonë drejt lirisë dhe i shpreh mirënjohje familjes Mazreku për kontributin dhe guximin e treguar në periudhën më të vështirë për vendin.




