Policia paralajmëron për e-mail të rreme që qarkullojnë në emër të saj
Policia e Kosovës ka njoftuar opinionin publik se në qarkullim po shpërndahen përmes e-mail-it disa informacione jozyrtare dhe të rreme, të cilat paraqiten kinse si dokumente të lëshuara nga zyrtarë të lartë të institucionit.
Në deklaratën zyrtare thuhet se e-mail-et, të emërtuara si “THIRRJE GJYQËSORE”, përmbajnë “numër referues të dosjeve të lëshuara kinse nga stafi i lartë menaxhues i PK-së, Agjencia e Sigurisë Kibernetike në Kosovë, Byroja Federale e Hetimeve, Policia Kombëtare e Krimit Kibernetik dhe Interpoli”. Policia thekson qartë se këto “NUK janë dokumente zyrtare të Policisë së Kosovës”.
Sipas njoftimit, bëhet fjalë për e-mail-e dhe dokumente të falsifikuara “për përdorim me qëllime të caktuara”.
PK ka bërë të ditur se është duke kryer hetime intensive në bashkëpunim me organet e drejtësisë, me qëllim të “hetimit, verifikimit dhe zbulimit të kryerësve të kësaj vepre penale”, duke angazhuar njësitet kompetente policore.
Policia fton qytetarët të mos bien pre e mashtrimeve të tilla dhe u bën thirrje që çdo e-mail apo dokument të dyshimtë ta adresojnë në adresën zyrtare [email protected] për trajtim dhe kompetencë të mëtejme.



