Trajneri i Baselit i del në mbështetje Shaqirit

01 dhjetor 2025 | 15:32

Trajneri i Baselit, Ludovic Magnin, i ka dal në mbështetje Xherdan Shaqirit për penalltinë e humbur ndaj St. Gallenit.

Baseli të dielën barazoi pa gola me St. Gallenin, në ndeshjen që ishte e vlefshme për javën e 15-të të elitës së futbollit zviceran.

Ylli i Baselit, Shaqiri, ishte i pafat pasi nuk u tregua mjaftueshëm i saktë nga pika e bardhë në minutën e 52-të. Goditja e tij u ndal nga portieri.

34-vjeçari Shaqiri humbi penallti edhe më 9 nëntor në disfatën që e pësoi Baseli nga Lugano me rezultatin, 1:0.

Trajneri Magnin në konferencë për shtyp deklaroi se edhe shumë yje të futbollit kanë humbur penallti, duke e mbështetur Shaqirin.

“Është padyshim për të ardhur keq që Shaqiri humbi dy penallti kur rezultati ishte 0:0. Lojtarët më të mirë në botë kanë humbur penallti. Shaqiri sigurisht që nuk ka nevojë për ndihmë”, u shpreh 46-vjeçari Magnin.

Shaqiri këtë edicion ka dhjetë gola dhe dhjetë asistime në 24 paraqitje. Ai është sulmuesi kryesor i Baselit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mbrojtësi legjendar spanjoll Sergio Ramos, 39 vjeç, mund të rikthehet…