Reagimi i ashpër i Britanisë: Vendimi i KQZ-së ndaj Listës Serbe cenon demokracinë shumetnike dhe marrëdhëniet me partnerët
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka thënë se është seriozisht i shqetësuar me përpjekjet për ta penguar Listën Serbe të marrë pjesë në zgjedhjet e 28 dhjetorit, referuar vendimit të KQZ’së për të mos e certifikuar këtë parti.
Hargreaves ka deklaruar se veprime të tilla rrezikojnë të dëmtojnë reputacionin e vendit si një demokraci shumetnike dhe të cenojnë marrëdhëniet me partnerët e saj të ngushtë.
Ai ka thënë se shpresat i ka tek Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
“Jam seriozisht i shqetësuar për përpjekjen e fundit të aktorëve politikë për të penguar Listën Serbe të marrë pjesë në proceset zgjedhore. Veprime të tilla rrezikojnë të dëmtojnë reputacionin e fituar me vështirësi të Kosovës si një demokraci shumetnike dhe të cenojnë marrëdhëniet me partnerët e saj të ngushtë. Shpresoj që Paneli për Ankesa dhe Parashtresa Zgjedhore të vlerësojë sërish aplikimin e Listës Serbe për certifikim, në përputhje me ligjet dhe rregulloret e Kosovës”, ka shkruar ambasadori britanik.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sërish nuk e ka certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Dy vota ishin për, dy kundër dhe shtatë abstenim.
Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi dhe anëtarja serbe votuan për, ndërsa dy anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, votuan kundër.



