Hamza: VV-ja jo vetëm që e kanë kapur shtetin, po e kanë plasë
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka drejtuar kritika të ashpra ndaj qeverisë në detyrë të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, duke theksuar se vendi po kalon, sipas tij, një periudhë pa udhëheqje gjithëpërfshirëse dhe unifikuese.
Në një paraqitje në emisionin “Debat Plus”, Hamza e akuzoi ish-qeverinë Kurti se ka “kapur” shtetin dhe se ka tentuar të ushtrojë ndikim në pothuajse çdo institucion. Ai tha se ekzekutivi jo vetëm ka marrë nën kontroll strukturat shtetërore, por edhe i ka dëmtuar ato në mënyrë serioze.
“Këta jo vetëm që e kanë kapur shtetin, po e kanë plasë. Nuk ka institucion ku nuk ka këqyr me kap shtetin, nëse nuk e kanë kap shtetin e kanë penguar në 100 mënyra për mos me punu, çendim i pavarësisë të institucioneve edhe cenim i ndarjeve të pushtetit, ekzekutivi legjislativi gjitha organet tjera që punojnë si pavarur brenda sistemit, dhe përkeqësim i raporteve ndërkombëtare. Na sot mundemi ti quajmë masa, po kem bllokadë nga vendet e BE qe dy vjet, miliarda euro janë të pashfrytëzuara”, ka deklaruar Hamza në Debat Plus.
Ai po ashtu foli edhe për raportet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë, duke vlerësua se ato janë përkeqësuar ndjeshëm nën këtë qeveri. Hamza tha se masat e vendosura nga disa shtete të Bashkimit Evropian po reflektohen drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të vendit.



