Mbi 12 milionë euro për transformimin e tërësishëm të stadiumit të Prizrenit
Stadiumi “Përparim Thaçi” në Prizren po hyn në fazën më të madhe të rindërtimit në historinë e tij, pasi është nënshkruar kontrata për investimin prej mbi 12 milionë eurosh, ndërsa punët përgatitore tashmë kanë nisur.
Lajmin e ka bërë me dije kryeministri Albin Kurti përmes një postimi në “Facebook”. “Stadiumit do t’i shtohen tribunat veriore dhe jugore, duke e shndërruar në një nga arenat sportive më moderne në Kosovë”, ka shkruar Kurti.
Kapaciteti i tij do të arrijë në rreth 7 800 ulëse, ku tifozët e KF Lirisë dhe sportdashësit prizrenas do të kenë një ambient bashkëkohor për të mbështetur skuadrën e qytetit. Kurti ka theksuar se në nivel vendi po investohen mbi 200 milionë euro në stadiume të futbollit, duke synuar që Kosova të ketë infrastrukturën më të mirë sportive në rajon. Projekti i ri pritet të ndryshojë rrënjësisht pamjen dhe funksionalitetin e stadiumit, duke e kthyer në një qendër moderne të futbollit kosovar.



