Messi: Synojmë ta fitojmë përsëri Kupën e Botës
Ylli i Argjentinës, Lionel Messi, ka reflektuar mbi vështirësitë e mbajtjes së titullit kampion bote dhe presionin që sjell kjo sfidë.
“Besoj se kemi një skuadër shumë të fortë dhe do të përpiqemi ta fitojmë sërish Botërorin. Por në këtë kompeticion, momentet më të vogla mund të të eliminojnë”, ka thënë fillimisht Messi.
Ai theksoi se në Kupën e Botës çdo detaj ka peshë, nga një top që përfundon në shtyllë deri te penallti të cilat mund të ndryshojnë fatin e një ndeshjeje.
“Edhe pse fituam me penallti në finalen e vitit 2022, ndaj Holandës dhe Francës ishim skuadra më e mirë, megjithatë ndeshjet përfunduan te penalltitë. Emiliano Martinez ishte vendimtar, por një seri penalltish mund të të penalizojë në çdo moment”.
Messi shtoi se triumfi i vitit 2022 hoqi një barrë të madhe nga shpatullat e ekipit, duke u lejuar të luajnë më lirshëm, por pa e garantuar suksesin.
“Është jashtëzakonisht e vështirë të fitosh një Botëror. Sidoqoftë, jam i bindur për vendosmërinë e skuadrës sonë. Tani luajmë pa peshën e asaj që na mungonte prej vitesh, por kjo nuk do të thotë se fitorja vjen lehtë. Të gjithë duan të mposhtin kampionët e botës”, përfundoi ylli i Argjentinës.





