Zbulohen prapaskenat: Chelsea refuzoi ta blinte Cristiano Ronaldon për vetëm 3.5 milionë euro
Chelsea ka humbur një nga mundësitë më të mëdha në historinë e saj, pasi në vitin 2003 refuzoi të nënshkruante me një Cristiano Ronaldo vetëm 18-vjeçar nga Sporting Lisbona për shumën modeste prej 3 milionë funte.
Këtë zbulim e ka bërë agjenti veteran Barry Silkman, i cili ka folur për The Telegraph. Sipas tij, marrëveshja ishte praktikisht e kryer me përfaqësuesin e Ronaldos, Jorge Mendes, por drejtuesit e Chelseat vendosën ta refuzonin transferimin, pavarësisht se klubi ishte në fillimet e epokës së re nën pronësinë e Roman Abramovich.
“E kisha bërë marrëveshjen me Jorge Mendesin. Por Chelsea tha jo. Cristiano Ronaldo kushtonte 3.5 milionë euro”.
Kjo shifër, e konfirmuar nga vetë Silkman, do ta kishte sjellë në “Stamford Bridge” një nga futbollistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, për një çmim që sot duket pothuajse i pabesueshëm.
Vendimi i Chelseat konsiderohet si një nga momentet më të famshme “çfarë do të kishte ndodhur po të…” në historinë e Ligës Premier. Vetëm disa muaj më pas, Manchester United ndërhyri dhe e transferoi talentin portugez për 12.2 milionë funte, duke i hapur rrugën një karriere legjendare nën drejtimin e Sir Alex Ferguson.
Ndërkohë, Chelsea e asaj kohe, ende në fazat e para të revolucionit të Abramovich, zgjodhi të përqendrohej në objektiva të tjerë, duke humbur kështu shansin për të siguruar shërbimet e një futbollisti që më vonë do të shndërrohej në një ikonë globale të futbollit.




