Banorët ishin me qera, detaje rreth banesës e cila u përfshi nga zjarri në Prishtinë
Një banesë në Prishtinë është përfshirë nga zjarri mëngjesin e sotëm. Në vendin e ngjarjes kanë dalë policia dhe zjarrfikësit të cilët e kanë lokalizuar menjëherë zjarrin. Derisa një person ka pranuar edhe trajtim mjekësor. Shkrumb e hi është kthyer një pjesë e kësaj banese në lagjen “Kodra e Diellit” në Prishtinë.
Mëngjesin e hershëm të së mërkurës zjarri kaploi katin e pestë të kësaj ndërtese.
E të parët që dolën ishin Policia e Kosovës, të cilët evakuan banorët e ndërtesës.
Ndërsa një person mori edhe trajtim mjekësor.
“Sot rreth orës 07:00, kemi pranuar informatën për një incident zjarri në lagjen ‘Bregu i diellit’ në Prishtinë, ku nga zjarri është përfshirë një banesë. Policia dhe zjarrfikësit kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, kurse një person ka pranuar tretman mjekësor. Aktualisht policia dhe zjarrfikësit janë duke u marrë me rastin”, njoftoi zëdhënësi i PK-së për kryeqytetin Enis Pllana.
Për pak minuta në vend ngjarje erdhën edhe zjarrfikësit të cilët arritën që ta lokalizojnë menjëherë zjarrin.
“Këtu e kemi pasur një zjarr në katin e pestë të këtij objekti dhe në orët e hershme të mëngjesit sot e kemi marrë informacionin se në vendin pikërisht ku gjendemi është një rast zjarri, ne për një periudhë shumë të shkurtër kemi dalë për shkak se nuk ka pasur komunikacion dhe për një periudhë shumë të shkurtë e kemi lokalizu zjarrin dhe në këto momente veç është në përfundim”, tha Rrustem Uka nga zjarrfikësit e kryeqytetit.
E dëmet e shkaktuar sipas zjarrfikësve janë të konsiderueshme.
Shkaktarët që dërguan deri tek shpërthimi i zjarrit ende nuk dihen.
Derisa televizioni mëson se banorët që banonin aty, kishin marrë me qira banesën.



