Lidere organike e PDK-së
Ismail Syla
Kjo foto e sotme me znj. Vlora Çitaku në korridorin e zyrave të Partisë Demokratike të Kosovës në këtë ditë dhjetori më zgjoi shumë kujtime dhe histori.
Ajo, një vajzë e re, që nga shkolla e mesme kryeqytetëse, ishte e angazhuar me ekipe të gazetarëve të huaj, që po raportonin për zhvillimet dramatike dhe tragjike anembanë Kosovës.
Bijë e dy prindërve, profesorëve universitarë, e piktorit akademik Shaip Çitaku dhe profesoreshës Sala Ahmeti, (që në vitet 1979-1981 pata fatin të jem student i saj në katedrën e Letërsisë dhe gjuhës shqipe) Vlora e kishte të ngjizur dashurinë ndaj atdheut, edhe duke qenë mbesë Radisheve, e vendlindjes së Shotë Galicës, e cila ke qenë dhe mbetet simbol i gruas luftëtare.
Për Vlorën tepër të re njohja me vlerat, fuqinë dhe konceptin politik të organizatës politiko-ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
Ishte përvojë goxha e vjetër. Ajo që më kohë ishte mishëruar si pjesë e filozofisë politike të një brezi që po hynte në skenën e madhe politike të Kosovës së çliruar.
Nëse kërkon një person të gjeneratës së saj që ka lidhje organike dhe është vetë organika e Partisë Demokratike të Kosovës, atë nuk mund ta gjesh dot. Ajo edhe studimet universitare i mbaroi pa u shkëputur asnjë ditë nga fryma e zhvillimit dhe rritjes së PDK-së.
Në platformën e këtij korridori ka ecur historia, kanë lëvizur figura me peshë të madhe politike të PDK-së. Vlora, si muret dhe zyrat është dëshmitare e zhvillimit të politikave të PDK-së në të gjitha fazat. Në fazat e rrugës në konsolidim e sipër, në fushata zgjedhore, lokale e parlamentare, në fazat e fitoreve dhe të humbjeve të zgjedhjeve, e qëndrimit në bashkëqeverisje, e rënies në opozitë, por edhe të fitores historike më 17 nëntor 2007.
Në të gjitha këto ngritje e rënie, Vlora është shembull i qëndrueshmërisë dhe besnikërisë së shtëpisë së saj politike. Si zëdhënëse e PDK-së, Vlora e ushtroi këtë pozitë me sharm dhe shije, dhe si figurë e re me botëkuptim të përparuar, ajo u bë simbol i fytyrës së veprimtares politike që zë vend në një parti politike, e cila edhe në opozitë kishte ndikim madhor përballë zhvillimeve në Kosovën ende të pashpallur si shtet i pavarur.
Në procesin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, përmbylljes kulminante të të një aspirate kombëtare, në kohën kur PDK-doli forca e parë si në zgjedhjet lokale, ashtu edhe nacionale, Vlora Çitaku së bashku me z. Bekim Çollaku ishte pjesë aktive e ekipit politik të kryesuar nga kryeministri Hashim Thaçi që parapërgatiti aktin e shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008.
Duke qenë ADN e përbrendësuar e PDK-së, Vlora Çitaku ishte krejt e natyrshme të bëhet deputete në Kuvendin e Kosovës, pastaj ministre e integrimeve evropiane, shefe e misionit diplomatik të Republikës së Kosovës në Nju Jork dhe ambasadore në Uashington.
Pas përfundimit të misionit në Uashington, edhe si rezultat i ndryshimeve politike në nivel vendi, Vlora Çitaku, sot është njëra nga liderët më të rëndësishme të Partisë Demokratike. Si funksionare e lartë e PDK-së me profilin e pasur të politik ajo është duke luajtur rol aktiv të rëndësishëm që reflekton filozofinë e frymës unifikuse, ekuilibruese në PDK, e cila si parti e madhe dhe historike, ka një udhë përshkuese jo pa sprova dhe pa sfida të rënda.
Në kohën kur dy liderët e PDK-së, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli ende ballafaqohen në Hagë me padrejtësinë e Gjykatës Speciale, PDK-së më shumë se gjithçka tjetër i duhen në krye të saj kuadro e liderë të profilit politik të Vlora Çitakut: të qëndrueshëm, besnikë, të moderuar, të emancipuar, pajtues, por edhe rigorozë në përfaqësimin e filozofisë politike të partisë dhe reflektimin e shëndetshëm në mbarë skenën politike të Kosovës.
Partia Demokratike e Kosovës aktualisht dhe gjithmonë është me fat që pat, ka dhe do të ketë liderë më integritet të tillë, siç është Vlora Çitaku dhe siç është kryetari aktual i sapozgjedhur, z. Bedri Hamza, kandidati më potencial për kryeministër të Kosovës, pas 28 dhjetorit të sivjetmë.
Suksese të pareshtura Vlorë!



