Hoti për qeverisjen e Kurtit: Kaotike, mashtruese, korruptive e abuzim flagrant me pushtetin

16 dhjetor 2025 | 11:59

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se 28 dhjetori është “mundësi për kthimin në normalitet me kushtetutshmëri e ligjshmëri, për kthimin e aleancave euroatlantike dhe për fuqizimin e integrimeve mbarëshqiptare”.

Hoti ka thënë se katër vitet e fundit janë karakterizuar me qeverise kaotike dhe mashtruese.

“Vetingu në drejtësi, reformat në arsim e shëndetësi, energjia dhe shumë çështje të tjera të premtuara u dëshmuan se kanë qenë mashtrime elektorale. Menaxhimi i krizës energjetike dhe i inflacionit që pasoi ishte kaotik. Disa herë u zgjat situata emergjente në energjetikë përmes vendimeve të Kuvendit të Kosovës, por asgjë konkrete nuk ndodhi”, ka shkruar Hoti në “Facebook”.

Ai ka përmendur bashkimin e disa ministrive.

“Kaosi ka kapluar institucionet gjithandej për shkak të procesit të bashkimit të disa ministrive. Shumica e pozitave drejtuese nëpër ministri funksionojnë me ushtrues detyre jashtë çdo afati ligjor. Shumë zyrtarë kanë mbetur të pasistemuar, siç kërkohet me ligj. Në shumë raste, përmes vendimeve të organeve kompetente është dëshmuar se shkarkimet e zyrtarëve të lartë janë bërë në mënyrë joligjore. Ndërhyrjet në emërimet në pozita të larta janë të paprecedenta. Shumë ambasada janë pa staf të kompletuar”, ka shkruar Hoti.

Më tutje, Hoti ka thënë se mbi 10 ligje dhe vendime të Kuvendit janë shpallur jokushtetuese.

“Si asnjëherë më parë, mbi dhjetë ligje dhe vendime të Kuvendit janë shpallur jokushtetuese. Ata që i kanë miratuar këto ligje, në vend që të reflektonin, kanë insistuar në shkeljet e tyre. Shkeljet vazhduar edhe me mbi 50 seanca jokushtetuese në procesin e konstituimit të Kuvendit. Qeverisja u shoqërua me afera korruptive dhe abuzime të hapura nga zyrtarë të lartë, tashmë nën hetim nga drejtësia​”, ka shkruar Hoti.

Ai ka folur edhe për ekonominë, duke thënë se është “rënduar, me kosto të rritura të prodhimit dhe shportë shumë më të shtrenjtë të konsumit”.

“Rreth 14 miliardë euro janë shpenzuar në vitet 2021–2025, por efektet nuk vërehen askund. Ekonomisë i mungojnë qindra miliona euro për shkak të mosrealizimit të kontratave dhe shpenzimeve shumë të ulëta për investime kapitale. Shumë kompani private sot janë në vështirësi financiare si rezultat i rënies së aktivitetit të sektorit publik sa i përket investimeve kapitale, duke prodhuar efekte ekonomike dhe sociale negative në mbarë ekonominë. Edhe ato investime kapitale që janë bërë, në shumë raste janë realizuar përmes tenderëve njëburimorë. Një praktikë e tillë, në shumicën dërrmuese të rasteve, bie në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit, pasi tri kushtet bazike të këtij ligji për nënshkrimin e kontratave njëburimore nuk plotësohen. Për më tepër, sa herë që nënshkruhet një kontratë njëburimore, nuk dihet nëse investimi publik po realizohet me çmimin më të ulët të mundshëm”, ka shkruar Hoti.

Ish-kryeministri ka shtuar se në sektorin e energjisë nuk është krijuar asnjë kapacitet i ri dhe se deficiti tregtar është dyfishuar në pesë vitet e fundit.

Hoti ka thënë se “partneritetet janë cenuar, ndërprerja e dialogut strategjik dhe sanksionet kanë bllokuar mbështetjen financiare dhe politike”.

Sipas tij “bashkëpunimi ndërshqiptarë është për keqardhje për shkak të agjendave elektorale”.

“Shqiptarët në të dy anët e kufirit Kosovë-Shqipëri po komunikojnë e lëvizin gjithnjë e më shumë, por ka tri vite që nuk ka mbledhje të përbashkëta të qeverive të Shqipërisë dhe të Kosovës. Në anën tjetër, Shqipëria mban mbledhje të përbashkët me Qeverinë e Italisë. Politika përçarëse karshi shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe në Luginë të Preshevës ka krijuar një situatë të paprecedentë. Kosova gjithmonë ka shërbyer si përafruese dhe udhëzuese e spektrit politik të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriu e në Luginë. Në këto vite, po ndodh e kundërta. Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë qenë faktori kryesor në ruajtjen e kursit pro-perëndimor të Maqedonisë së Veriut, duke u përpjekur në të njëjtën kohë të avancojnë pozicionin e tyre politik. Dhe në këtë drejtim janë arritur rezultate të konsiderueshme. Përçarjet e nxituara nga Qeveria e Kosovës kanë shkaktuar regres në këtë aspekt”, ka shkruar Hoti.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ylli i dikurshëm anglez, Wayne Rooney, beson se kapiteni i…