Trepça, lidere e Superligës në basketboll
Kampionia në fuqi, Trepça, është liderja e re në Superligën e Kosovës në basketboll.
Mbrëmë në palestrën “Minatori”, Trepça e ka mposhtur Borën e Prishtinës me rezultat bindës 90:72. Kjo ndeshje ishte e mbetur nga xhiroja e pestë e Superligës.
Skuadra nga kryeqyteti ishte vendase, por loja është zhvilluar në Mitrovicë. “Xehetarët” e kanë vendosur ndeshjen në çerekun e tretë, ku kanë bërë shkëputjen e madhe.
Çereku i parë ka përfunduar 21:16 për Borën, ndërsa pas pjesës së parë rezultati ishte 39:36 për Trepçën. Çereku i tretë është mbyllur 38:11 në të mirë të mitrovicasve, duke e vulosur fitoren, ndërsa çereku i katërt ishte më shumë formalitet.
Ja’cori Payne, i ka udhëhequr mitrovicasit me 17 pikë, nëntë asistime dhe katër kërcime, e po ashtu edhe Mikaile Tmushiq po ashtu ka pasur paraqitje të mirë me 14 pikë, pesë kërcime, pesë asistime dhe gjashtë topa të rrëmbyer, ndërsa Drilon Hajrizi ka shënuar 20 pikë.
Te Bora është dalluar Shaquan Jules me 25 pikë dhe 11 kërcime, ndërsa Amin Hot ka kontribuar me 17 pikë, gjashtë kërcime dhe tri asistime.
Prishtinasit kishin një seri prej katër fitoreve radhazi, por kësaj radhe nuk kanë pasur gjasa përballë Trepçës.
Me këtë fitore, “Xehëtarët”, aktualisht kanë tetë fitore dhe tri humbje duke udhëhequr tabelën me 19 pikë. Bashkimi dhe Peja kanë nga 18 pikë, ndërsa Bora me pesë fitore dhe gjashtë humbje ka 16 pikë dhe renditet në mesin e tabelës.



