Përurohen Akseleratori i ri dhe Bunkeri në Klinikën e Onkologjisë, investim prej 2.7 milionë euro
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, së bashku me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë përurimin e Akseleratorit të ri dhe Bunkerit në Klinikën e Onkologjisë, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, investim në vlerë të gjithmbarshme prej 2.7 milionë euro.
Me këtë rast, Kurti tha se ky është një lajm i gëzueshëm për shërimin e pacientëve dhe për kushte shumë më të mira të punës me pajisjet më moderne të teknologjisë së fundit për mjekët, që me punën e tyre të palodhshme, i trajtojnë me kaq shumë profesionalizëm qytetarët e Republikës tonë dhe jo vetëm, që kanë këtë sëmundje.
“Klinika e Onkologjisë është klinikë shembull në Republikën e Kosovës, por madje edhe në rajonin e Ballkanit. Me këtë rast duhet përmendur, që fillimisht është rritur numri i shtretërve. Kanë qenë vetëm 45 shtretër, tash janë 110 shtretër. Pra, kemi më shumë se dyfishim të numrit të shtretërve. Por arsyeja pse ndodhemi sot këtu, është investimi në këtë bunker me hapësirat përcjellëse, në vlerë të gjithmbarshme prej 2.7 milionë euro, përfundimi i të cilit është bërë në një kohë rekord, për vetëm 5 muaj”, tha Kurti.
Akseleratori është në vlerë të gjithmbarshme prej afër 1.6 milionë euro dhe gjithashtu është i pajisur edhe me sistemin e avancuar SIRAD, që mundëson saktësi maksimale për rrezatim, pra e godet tumorin pa i dëmtuar indet rrotull.
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se brenda një periudhe të shkurtër po montojmë akseleratorin e tretë në këtë klinikë, i cili do t’ju shërbejë të gjithë qytetarëve për trajtimin e tyre me Rreze X dhe në anën tjetër nuk do të ketë fare më lista të pritjes.
Ndërkaq, drejtori i Onkologjisë, Ilir Kurteshi falënderoi kryeministrin Kurti, ministrin Vitia dhe Drejtorin e ShSKUK-së, Elvir Azizi për investime madhore në këto pesë vitet e fundit në klinikën që ai drejton. Si rezultat ato e kanë vënë Klinikën e Onkologjisë në një pozitë shumë të mirë në kuptimin e shërbimeve cilësore dhe trajtimit të pacienteve me sëmundje malinje.
Ky projekt i përuruar sot përfshin akseleratorin e ri në vlerë prej afër 1.6 milionë euro; bunkerin, me sipërfaqe rreth 500 m², sipas kushteve dhe standardeve ndërkombëtare për siguri radiologjike dhe të gjitha punimet përgatitore në kantier, në vlerë 700 mijë euro; dy sistemet për planifikimin e trajtimit në vlerë 200 mijë euro; një sistem për imobilizimin e pacientëve në vlerë 50 mijë euro; një sistem të furnizimit të pandërprerë me energji elektrike (UPS) në vlerë 20 mijë euro, si dhe një sistem dozometrik për matjen dhe kontrollin e saktë të dozës së rrezatimit, në vlerë 180 mijë euro.



