‘Xhaka ka ngritur standardin e Sunderlandit’

19 dhjetor 2025 | 16:13

Qendërmbrojtësi Dan Ballard ka thënë se transferimi i Granit Xhakës ka ngritur standardet te Sunderlandi, që është kthyer në skuadër shumë të fortë në Premier League.

Mesfushori dhe kapiteni i Zvicrës dhe i Sunderlandit, Xhaka, ishte njëri prej shumë transferimeve të verës në skuadrën që u kthye në elitën e futbollit anglez nëpërmjet plejofit.

33-vjeçari iu bashkua Sunderlandit nga Bayer Leverkuseni dhe menjëherë u bë kapiten dhe lider i skuadrës.

Sunderlandi së fundmi e fitoi derbin e zjarrtë ndaj Newcastlet, 1:0.

Ballardi ishte në Akademinë e Arsenalit kur Xhaka luante në ekipin e parë të “topçinjve”. Dhe ka thënë se nuk e ka pritur që një person mund të ketë kaq shumë ndikim në skuadër.

“Isha pak i befasuar kur ai u transferua. Nuk isha i sigurt se sa do të funksiononte. Nuk e kam menduar se një person mund të ketë kaq shumë ndikim në skuadër, nga mënyra se si ai ia arriti një gjëje të tillë. Standardet janë rritur prej fillimit sepse ai çdo gjë e bën 100 për qind. Ishte disi ‘nëse ai ka pasur karrierë të shkëlqyer dhe ende po vazhdon ta bëj çdo gjë në mënyrë të përkryer, pse të mos e bëjmë edhe ne?’. Dhe mendoj se kjo ka rritur standardet në skuadër”, ka deklaruar Ballard, shkruan “BBC” të premten.

Sunderlandi i ka fituar shtatë dhe i ka humbur katër nga 16 ndeshjet në ligë. Ballardi këto suksese ka thënë se kanë ardhur falë ndikimit të Xhakës në mentalitetin fitues.

“Nga puna në palestër e deri në qendrën stërvitore. Mund të jetë ftohtë dhe me lagështi, por ai është 100 për qind i fokusuar dhe jep çdo gjë në stërvitje. Kështu që nëse disa prej djemve nuk e bëjnë të njëjtën gjë dhe e sheh atë duke e bërë, është e papranueshme për ne. Nëse ai e bën këtë edhe pse ka fituar tituj dhe ka luajtur qindra ndeshje në Premier League, pse të mos e bëjmë ne. Na ka rritur të gjithëve”, theksoi Ballard, qendërmbrojtësi 26-vjeçar.

33-vjeçari Xhaka e ka një gol të shënuar e katër asistime në 16 paraqitjet e edicionit aktual në elitën angleze.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Petrol Company njofton se loja maratonë, e cila ka shoqëruar…