PZAP-ja gjobit Listën Serbe me 20 mijë euro për vendosjen e materialeve propaganduese
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka gjobitur me 20 mijë euro Listën Serbe, për shkelje të Kodit të Etikës dhe Mirësjelljes gjatë fushatës zgjedhore.
Vendimi ka ardhur pas ankesës nga subjekti politik Kosovski Savez, i cili ka pretenduar se në komunën e Leposaviqit, në disa lokacione të ndryshme, Lista Serbe kishte vendosur material propaganduese.
Në arsyetim e PZAP-së është theksuar se vendosja e materialeve promovuese pa leje të organeve kompetente përbën shkelje të legjislacionit zgjedhor.
“Subjekti Politik Lista Serbe ka qenë e njoftuar me obligimet dhe përgjegjësitë gjatë procesit të fushatës zgjedhore, andaj vendosja e materialeve promovuese në fushatë zgjedhore pa lejen e organeve kompetente, përbën shkelje të legjislacionit zgjedhor, të cilat shkelje janë sanksionuar me dispozitat ligjore të LZP-së”.
“Përkundër njoftimit nga PZAP-i me ankesën, subjekti politik Lista Serbe nuk ka ofruar ndonjë përgjigje në lidhje me pretendimet e palës ankuese”, është thënë në vendimin e PZAP-së.



