Sot festohet Krishtlindja, Imzot Dodë Gjergji: Kosova ka nevojë për stabilitet më të madh politik
Besimtarët e krishterë në mbarë botën festojnë sot Krishtlindjen, ditën e lindjes së Jezu Krishtit.
Kjo festë është një nga ngjarjet më të rëndësishme në kalendarin e krishterë dhe simbolizon lindjen e shpresës dhe dritës.
Për të krishterët në Kosovë dhe rajon, kjo ditë kremtohet me meshë në kisha dhe mbledhje familjare, ku dhurohet dashuri dhe bëhen urime për paqe e mirësi.
Në Katedralen “Nëna Terezë” në Prishtinë është mbajtur mesha solemne e Krishtlindjes, e udhëhequr nga Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji. Gjatë fjalimit të tij, ai bëri thirrje për paqe, ndërsa shtoi se kjo festë është momenti më i mirë për ta falënderuar Zotin.
Imzot Dodë Gjergji bëri thirrje që njerëzit të bëhen bashkë për paqe dhe drejtësi. Ai ndër tjera tha se Kosova ka nevojë për stabilitet më të madh politik dhe të përshpejtojë rrugën drejt hyrjes në familjen evropiane dhe të ruajë vlerat e shoqërisë.
“Bota sot po përballet me frikën e shkatërrimit, pasi ka mbetur pa dashuri, po flet me gjuhën e urrejtjes, sepse e ka humbur fuqinë e arsyes dhe po merren vendim sipas interesave të fortëve dhe jo sipas drejtësisë. Mjerisht, kjo mënyrë e të menduarit, kjo formë e veprimit dhe kjo qasje ndaj njerëzit tjetrit po merr jetë njerëzish gjithandej botës ku ka luftë, padrejtësi e varfëri. Kjo ka plagosur rëndë ndërgjegjen politike të botës. Mbi të gjitha po shkatërron shpresat e brezave të ri dhe po i bën të paaftë ata që të jetojnë në paqe dhe dashuri. Nuk është e mirë as gjendja mes nesh e për këtë nuk mund ta fajësojmë askënd, por të ndihemi bashkëfajtorë për çdo situatë që nuk e kemi në nivelin e duhur… E ndjej të nevojshme t’ju ftoj të jemi më të përgjegjshëm për të restauruar gjendjen në të cilin kemi jetuar në vitin që po lëmë pas, duke kryer obligimin qytetar, pasi do të kontribuojnë të gjithë që vendi të ketë stabilitet të qëndrueshëm politik, të përshpejtojë hapat drejt familjes evropiane dhe të arrijë të ruajë vlerat bazike të shoqërisë sonë”, ka theksuar Dodë Gjergji.
Krishtlindja është festa më e rëndësishme në kalendarin e festave të krishtera dhe festohet çdo vit në natën mes 24 dhe 25 dhjetorit.



