Cavani i jep fund karrierës së tij të shkëlqyer, “El Matador” tërhiqet nga futbolli
Futbollisti legjendar uruguaian, Edinson Cavani, i ka dhënë fund karrierës së tij të shkëlqyer në moshën 38-vjeçare. Cavani ka njoftuar tërheqjen nga futbolli gjatë pushimit të kampionatit argjentinas, i cili zgjat nga 7 dhjetori deri në fund të janarit.
Golashënuesi uruguaian është përcjell me një mesazh prekës drejtuar futbollit.
“Më ke formuar, më ke sfiduar, më ke mësuar të ngrihem gjithmonë kur rrëzohem dhe të vlerësoj çdo hap gjatë rrugës. Më ke lejuar të arrij ëndrra që më dukeshin të pamundura si fëmijë dhe të takoj njerëz të jashtëzakonshëm, si në fushë ashtu edhe jashtë saj. Asgjë nga kjo nuk do të kishte qenë e mundur pa familjen, miqtë, shokët e ekipit, trajnerët dhe, mbi të gjitha, njerëzit e mi. Dashurinë e tifozëve në çdo vend dhe në çdo klub do ta mbaj me vete përgjithmonë. Po largohem në paqe, i qetë duke e ditur se dhashë gjithçka në çdo seancë stërvitore dhe në çdo ndeshje. Me gabime dhe suksese, por gjithmonë me respekt për këtë profesion që më ka dhënë kaq shumë”, ka shkruar Cavani në letrën e tij të lamtumirëse.
“El Matador”, siç njihet Cavani, ka veshur fanellën e Boca Juniors në dy vitet e gjysmë të fundit, ndërsa më parë ka fituar famë me PSG-në, Napolin, Palermon dhe Manchester Unitedin. Ai ka luajtur 301 ndeshje për PSG-në dhe ka shënuar 200 gola, ndërsa me Napolin ka realizuar 104 gola në 138 paraqitje. Me Kombëtaren e Uruguait, Cavani ka regjistruar 136 paraqitje dhe shënoi 58 gola.




