Zjarri heraklitian
Adem Gashi
Liria shqiptohet vetëm kur mungon
Ka ngjarje në jetën e një populli, në jetën shoqërore të një populli që hyjnë në hisrori, që hyjnë dhe mbesin ne historinë e atij populli me peshën dhe kuptimin që kanë; ka ngjarje (dhe ngjarjet e tilla quhen zakonisht te mëdha) kur ndikimi i tyre vazhdon te jetë veprues dhe i efektshëm nëpër ndërrime motesh; ka ngjarje (dhe ngjarjet e tilla quhen zakonisht kthesa) kur veprimi i tyre ndërron rrjedhën, kahjen e hisrorisë së njëtrajtshme të një populli; ka, më në fund, ngjarje me rezultat më afatshkurtër ose më afatgjatë, që përshpejtojnë ose ngadalësojnë procese. Ka, por, edhe ngjarje të tilla që në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë nxisin tema dhe dilema. Ngjarjet e vitit 1981 i quaj ngjarje ngaqë duket i simplifikuar termi demnostrata), pa pretenduar të bëj tipologji socio-historike, i shoh si paralajmëruese dhe parapërgatitje të Ngjarjeve të Mëdha dhe të Ngjarjeve Kthesa. Brenda tyre natyrisht që shoh edhe plot tema dhe dilema: një pjesë të tyre mund ta sheshojnë dhe projektojnë shkrimtarët dhe artistët, një pjesë tjetër mund ta trajtojnë dhe artikulojnë shkencëtarët dhe historianët, publicistët dhe analistët, dhe, si për paradoks, një pjesë të tretë të temave dhe dilemave mund ta thellojnë dhe pështjellojnë spekulantët dhe mistifikatorët.
Ngjarjet e vitit 1981 sivjet shënohen dhe përkujtohen ngase, nga largesa e kohës, ato pak a shumë bëhen jubilare, ngase zhvillimet shoqërore të aktualitetit implementohen me ato, ngase perëndia romake e luftës Marsi influencon mbi diskursin dhe ndjenjën e aktantëve, të pushtetarëve dhe komentuesve të parapesëmbëdhjetë vjetëve dhe të sotëm. Përthyerjet e këndvështrimeve për ngjarjet e vitit 1981, që këtyre ditëve shfaqen gazetave, tribunave, akademive solemne e tryezave të rrumbullakëta nuk e lënë indiferent pothuajse asnjë pjesëtar të popullit shqiptar.
Tema e parë: Ç’paraqesin ngjarjet e vitit 1981? Përgjigjja e kësaj pyetjeje duket uniforme, ngase ka fituar një promocion kolektiv dhe mendoj se është e vetmja përgjigje që ka një konsensus: Mendësia shqiptare e ka definuar kësisoj: Ngjarjet e vititt 1981 janë një vazhdimësi logjike e Demontratave të vititi 1968, e përpjekjeve vetëmohuese të grupeve dhe të individëve me bindje dhe ndjenjë atdhetarie, e aspiratave dhe idealeve popullore për liri dhe bashkim kombëtar. Po mu këtu, pranë temës së parë shfaqet edhe dilema e parë: ngjarjet e vitit 1981 ishin të parakohshme, ishin në momentin e duhur apo ishin të vonuara (?!) Natyrisht, kjo nuk do të ishte dilemë po të kishte një përgjigje të prerë dhe të pranueshme. Pëgjigjet janë të ndryshme ngaqë edhe shqiptuesit e tyre janë të ndryshëm. I quajnë Te parakohshme konformistët, pushtetmbajtësit (më drejt, ish-pushtetmbajtësit) dhe të tjerët që kishin privilegje dhe mirëqenie. I quajnë Të momentit të duhur ata që pretendojnë të jenë organizatorë të tyre, ose që në njëfarë mënyre kanë bartur mbi supe një pjesë të peshës së atyre ngjarjeve. I quajnë Të vonuara idealistët që kanë humbur sensin e kohës dhe aventuristët politikë. Të parët janë cinikë në përgjigjen e tyre, të dytët nuk e fshehin mburrjen duke e pandehur veten tutorë të tyre; përgjigjja e kategorisë se tretë i legjitimon ata si avdallë shpresëhumbur. Përgjithësisht që të tri këtyre kategorive në përgjigjet e tyre u mungon sinqeriteti. Një përgjigje më mbushulluese do ta jepte filozofia indeterministe, duke përimtuar ngadalë shkakun dhe pasojën, trysninë dhe rezistencën.
Tema e dytë: Kush i organizoi Ngjarjet e vitit 1981? Lidhur me çështjen e organizimit të tyre vijnë e shkapërderdhen mendimet varësisht nga koha kur shqiptohen, varësisht nga vendi dhe subjekti që i shqipton. Dihet tashmë se prilli dhe maji i 81-tës nga Beogradi në Prishtinë sillte mandatën e mallkimtit se organizatorë janë nacionalistët dhe irredentistët shqiptarë. Pastaj u merënduan nocionet e tjera si kundërrevolucionarët shqiptarë, enveristët shqiprarë, ballistët, fashistët ose edhe kanibalistët shqiptarë (siç volli vrerë edhe marrëzi ato ditë një shkrimtar serb). Jehonën e këtyre formulave makabre e reflektonte edhe udhëheqja shqiptare e Kosovës. Kjo udhëheqje pas një dekade do të konvertohet, por shumë panatyrshëm: Ja një shembull: një drejtor i një institucioni të lartë informativ, në një seancë diferencimi deklaronte me mburrje: “ mua, një biri fshatari shqiptar, më është dhënë mundësia, rasti dhe besimi që ta përfaqësojë Jugosllavinë dhe mosinkuadrimin në konferencat ndërkombëtare”. Fliste, krekosej dhe mburrej, po kjo ishte më tepër se mburrje. Ishte edhe bindje e tij. Vite më vonë, po ai ish -drejtor do të flasë ndryshe. Do të flasë dhe do të mohojë si Shën Pjetri që pa gdhirë – jo dhe jo. Mohimin e Shën Pjetrit do ta recitojnë pothuajse si në kor, në procesin e diferencimit, edhe pjesa më e madhe e inteligjencies sonë. (veçse deklarata e saj nuk ishte gjithherë edhe bindje e saj). Beogradi klithte: të gjinden organizatorët, të kapen krerët, shtabi! Burgjet mbusheshin, seancat gjyqësore u shndërruan në shfaqje të teatrit avangard ku asistonin kryesisht elitistët e pushtetit. Po krerët nuk gjendeshin. Pse? Beogradit i shkonte për shtat mosgjetja e tyre, madje edhe mistifikimi dhe mjegullimi. Ky i krijonte alibi për represion dhe ndjekje deri në fund, deri tek i fundit. Shqiptarëve të hutuar nga goditja skëterrore, hove-hove u vjen e këndshme deklarata e Beogradit për mosgjetjen e kryesorit, mbi moskapjen e tij. Shqiptarëve ua ka ëndja që në ato çaste përhumbjeje të besojnë në supermenin e pakapshëm. Një ëndërr mashtruese që gjithsesi do ta ketë çmimin shumë të lartë. Dilema e dytë: mos ka dorë vetë Beogradi në ngjarjet e vitit 1981 (?!). Edhe kjo formulë laboratorin do ta ketë gjithandej, po do të distribuohet në Kosovë sipas një menagjmenti të përsosur.. Kjo formulë do të pjellë larva përçarjeje shumë vite më vonë. Të parët do ta aktualizojnë ish-pushtetarët për t’i amortizuar përpjekjet, vuajtjet dhe sakrificat e militantëve të grupeve ilegale dhe të të burgosurve politikë. Të dytët do ta kthejnë monedhën e kusuritjes duke bërë një rrëshqitje fatale, duke marrë përsipër autorsinë e organizimit të ngjarjeve të 81-tës (e përsëris – të ngjarjeve sepse demonstratat janë vetëm një aspekt i atyre ngjarjeve). Kur e panë më vonë gafin (një autorësi e tillë vetëkuptonte platforma dhe skenare të detajuara, me struktura komplekse që s’ishin askund, që tejkalonon mijëfish nivelin e grupit me pesë a gjashtë anëtarë dhe me platformë ideologjie politike), edhe këta iu nënshtruan një konvertimi të vrazhdë duke mohuar zorshëm platformën politike të grupit, që në fakt ishte edhe bindje e tyre. Këto dy formacione antagoniste, çuditërisht do të bëjnë një kompromis të heshtur. Mbase pranimi i konvertimit ka krijuar një armëpushim midis tyre. Do të jap një shembull ilustrues: në një mbledhje aktivi të LDK-së një zënkë e papritur. Derisa fliste një ish-i burgosur politik, një ish-nëpunës e ndërpreu: “ Mjaft ti me atë marksizëm-leninizmin tënd!” (sado që ai s’fliste fare për marksizëm-leninizmin). Po edhe ai ama ja ktheu: “ Mos ma ndërprit fjalën ti titist !” Replika të tilla më nuk pati.
Dilema e mbetur pezull, pra – pati dorë Beogradi në ngjarjet e vitit 1981, rri si një balonë e rrezikshme ndërmjet këtyre dy formacioneve. Një balonë boshe më në fund.
Është fare e logjikshme që në çdo ngjarje kundërshtari, në rastin tonë Begradi, të vjelë ose të përpiqet të vjelë frutat e gafeve të tjetrit. Dhe ato bëhen akoma më të mëdha po nuk u kuptuan me kohë. Në ngjarjet e 81-tës sekush ka pjesën e tij si individ apo si grup, pjesën si shtysë apo si frenim, vetëm i papjesi pretendon grabitjen, rrëmbimin.
Tymi dhe flaka
Tymi, sipas proverbialit tonë “ ku ka tym, ka zjarr “ kaherë është shndërruar në simbol. Shenjat e pranisë së zjarrit të brendshëm në shpirtin e populli tonë janë vënë re që nga dita e mohimit të lirisë, por ato janë bërë më të dukshme në momente të veçanta. Është fare e natyrshme që përfushjen e pjesshme të atij zjarri në vitin 1981 do ta bëjë rinia studentore, pa harruar për asnjë çast mbështetjen e fortë të punëtorëve, le të thuhet me emër: të punëtorëve të KNI “ Ramiz Sadiku”. Megjithatë, sado që unë kam përdorur figurativisht nocionet tym e flakë, ato nuk i referohen shkallës dhe mënyrës së rezistencës ose të manifestimit të atyre ditëve. Jo rrallë, këtyre ditëve, dëgjohen formulime të pasakta dhe glorifikuese se Ngjarjet e 81-tës ishin kryengritje popullore, ato rrënuan themelet e Jugosllavisë e të tjera. Le të thuhet menjëherë dhe qartësisht: asnjë njeri, sado kokëkrisur të jetë, nuk mund ta zbehë rendësinë e atyre ngjarjeve dramatike me elemente të shumta sakrifice e vetëmohimi.. Por, të quhen kryengritje popullore, pa përdorur asnjë mjet, ose pothuaj asnjë mjet kryengritës, del jashtë caqeve që përthekon nocioni përkatës. Dikush do të thotë se aty u derdh gjak. E saktë, ky pushtues çdo tentativeë dhe çdo përpjekje shqiptare e ndëshkoi me tagrin e dhunës dhe të gjakut, madje gjatë gjithë historisë së pushtimit, madje edhe atëherë kur rrjedhat e mosbindjes ishin më të qeta. Po logjika e kryengritjes vetëkupton kundërgoditjen, madje goditjen e parë. A ndodhi kjo? Natyrisht që nuk ndodhi ngaqë nuk ishte kryengritje, ngaqë ishte demonsrtim i mosbindjes, ngaqë ishte dëftesë e pranisë së zjarrit të brendshëm, por jo shpërthyes. Nganjëherë ka tone që lëshojnë pandehma: ato mund të shndërroheshin në kryengritje gjithëpopullore. Mbase edhe mund të shndërroheshin, po kjo tashti është humbje kohe, të merresh me teorinë e pandehmës. Historia shënon të ndodhurat dhe jo ato që kanë mundur të ndodhin ose që s’kanë mundur të ndodhin. Filozofia dhe artet mund të kërkojnë gjurmët, historia flet për lepurin, për faktin.
Po shkatërrimi i Jugosllavisë, a s’u bë gjithandej?
Natyrisht që edhe këtu përgjigjja është mohuese. Bile mund të thuhet se ngjarjet e atyre viteve pa dashje mobilizuan energjinë e shkapërderdhur dhe destruktive të shtetit federal. Përfundimisht mund të thuhet se ngjarjet e mëdha të vitit 1981 ishin testi më i rëndësishëm dhe përgatitja e trasesë për të 89-tat dhe të 90-tat, kur mendësia shqiptare zuri t’i artikulojë dhe t’i barazpeshojë aspiratat, mundësitë, mjetet dhe metodat.Është dëshmi e pakontestueshme se sovrani Popull i dha bekimin kësaj mendësie, është e pakontestueshme se ky bekim përfaqëson shkallën e lartë të ndërgjegjësimit kolektiv të këtij etniteti dhe masën e duhur të ndezjes së këtij zjarri heraklitian.
___________
Tribuna, 1996
Radhiti: N. Sh. “Armagedoni”



