Reagim i Këshillit Drejtues të IAP-së: Vendimi i MAShTI-t nuk ka bazë ligjore të zbatueshme ndaj Institutit Albanologjik të Prishtinës
Këshilli Drejtuesi i Institutit Albanologjik ka kundërshtuar vendimin e MASHTI-t, me nr. prot. 01-215, i datës 26.01.2026, duke thënë se nuk ka bazë ligjore të zbatueshme ndaj Institutit Albanologjik të Prishtinës, nuk ka arsyetim të qëndrueshëm ligjor, si dhe është i jashtafatshëm.
Reagimi i plotë:
Përgjigjje e Këshillit Drejtues-IAP ndaj Vendimit të MAShTI-t
Instituti Albanologjik-Prishtinë, sipas nenit 7, paragrafit 2, pika 2.3, të Ligjit nr. 04/L-135 për Veprimtari Kërkimore Shkencore dhe nenit 1, pika 4 të Statutit të IAP, ka cilësinë e personit juridik.
Këshilli Drejtues i Institutit Albanologjik, në mbështetje të Neneve 22, 23 dhe 25 të Ligjit Nr.04/L-135 për Veprimtari Kërkimore-Shkencore; Nenit 23, paragrafi 7.9, Nenit 27, paragrafëve 1 dhe 6 të Statutit të Institutit Albanologjik të Prishtinës, si dhe Nenit 2, paragrafi 6.7, Nenit 17 të Rregullores së punës së Këshillit Drejtues, si organi më i lartë udhëheqës i Institutit Albanologjik të Prishtinës, që ka kompetencë ligjore për zgjedhjen dhe shkarkimin e drejtorit të Institutit, në mbledhjen nr. 9 të mbajtur më 27.01.2026, pasi e përfshiu si pikë të veçantë të rendit të ditës, shqyrtoi në hollësi vendimin e MAShTI-t dhe jep këtë:
PËRGJIGJE
Vendimi i MAShTI-t me nr. prot. 01-215, i datës 26.01.2026, nuk ka bazë ligjore të zbatueshme ndaj Institutit Albanologjik të Prishtinës, nuk ka arsyetim të qëndrueshëm ligjor, si dhe është i jashtafatshëm;
Mbetet në fuqi vendimi nr. 127, i datës 04.12.2025, i Këshillit Drejtues të Institutit Albanologjik të Prishtinës për zgjedhjen e Drejtorit të Institutit;
Instituti do t’u drejtohet organeve kompetente ligjore ndaj vendimit të lartcekur të MAShTI-t.
Këshilli drejtues i Institutit Albanologjik të Prishtinës, më datë 26.01.2026, përmes rrjeteve sociale ka pranuar Vendimin e marrë nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit me nr. prot: 01-215, i datës 26.01.2026, përmes të cilit kontestohet procedura e zgjedhjes së Drejtorit të Institutit Albanologjik të Prishtinës.
Këshilli Drejtues i IAP ka shqyrtuar në detaje secilën çështje të ngritur në vendimin e MAShTI-t dhe ka këtë vlerësim:
Baza ligjore mbi të cilën është marrë vendimi nuk është cituar saktë:
- Ligj për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe të Agjencive të Pavarura, Shtojca 1: Lista e Agjencive, specifikon qartë institucionet shtetërore të cilave u referohet, dhe në këtë listë nuk përfshihet Instituti Albanologjik.
- Neni 3, paragrafi 1.1 i Ligjit Për zyrtarët publikë thekson: Përjashtime nga fusha e zbatimit të ligjit; Ky ligj nuk zbatohet për funksionaret/ët publik si në vijim: 1.1. të zgjedhurat/it. Pra, në rastin tonë kemi të bëjmë më një proces ligjor dhe të saktësuar që kryhet me zgjedhje dhe jo me emërime.
- Baza tjetër ligjore e cituar është e ngarkuar panevojshëm sepse procedurat e zgjedhjes së drejtorit janë të specifikuara qartë me Ligjin Nr.04/L-135 për Veprimtari Kërkimore-Shkencore (gazeta Zyrtare e Republikës së Kosovës /Nr.11/02 Maj 2013); Statutin e Institutit Albanologjik të Prishtinës, si dhe Rregulloren e Punës së Këshillit Drejtues.
Sipas pikave të arsyetimit që janë në vendimin e MASHTI-t:
Konkursi publik i datës 14.10.2025 për zgjedhjen e Drejtorit të Institutit, nuk ka respektuar rekomandimet e dhëna nga MAShTI më 10.04.20 25 lidhur me kushtet dhe kriteret e konkursit. – Në bazë të nenit 25, paragrafët 1 dhe 5 të Ligjin Nr.04/L-135 për Veprimtari Kërkimore-Shkencore, Nenit 23, paragrafit 7.7, Nenit 26, paragrafit 4(Këshilli Drejtues i Institutit, me rastin e shpalljes së konkursit, mund të caktojë edhe kushte të tjera të veçanta, si fusha me të cilën merret kandidati, etj.), Nenit 27, paragrafëve 1dhe 6 të Statutit të Institutit Albanologjik, Nenit 2, paragrafi 6.7, Nenit 17 të Rregullores së punës së Këshillit Drejtues, Këshilli drejtues i IAP është organi më i lartë udhëheqës i Institutit Albanologjik të Prishtinës, që ka kompetencë ligjore për zgjedhjen dhe shkarkimin e drejtorit të Institutit. Më datë 13.05.2025 Këshilli Drejtues i ka kthyer përgjigje zyrtare dhe ligjore MAShTI-t për rekomandimet e dhëna dhe nuk ka pasur asnjë reagim nga ana e tyre. Konstatimi i Këshillit Drejtues ishte se kushtet dhe kriteret e propozuara nga MAShTI nuk ishin në përputhje me bazën ligjore. Në reagim theksohej se kushtet dhe kriteret e propozuara ishin komplet të ndryshme me konkurset për zgjedhjen e drejtorëve të dy instituteve tjera kërkimore-shkencore në kundër të MAShTI-t, të cilat ministria e ka njohur si të ligjshme. Më kryesorja, rekomandimet në formë urdhërore, në emër të ministres Nagavci kanë ardhur përmes këshilltarit të lartë politik, z. Muhedin Nushi, në kundërshtim të hapur me Nenin 13, paragrafi 7, dhe pika 7.1 të Ligjit Nr.08/L-117 për Qeverinë e Republikës së Kosovës (Këshilltarët politikë të anëtarëve të Qeverisë; Këshilltari politik nuk mund të: Ushtrojë çfarëdo pushteti ligjor, për ushtrimin e të cilit është kompetent eprori i tij; Ushtrojë kompetenca drejtuese ose kompetenca të tjera administrative në shërbimin civil.)
Asnjë nga anëtaret e KSh-së nuk është caktuar në Komisionin për vlerësimin e aplikantëve për pozitën e drejtorit të IAP-së – Në nenin 27, paragrafi 3 i Statutit thuhet(Anëtarë të Komisionit mund të caktohen edhe punonjës nga institucione të tjera të shkencës). Anëtarët e komisionit në fjalë janë propozuar pikërisht nga anëtarët e Këshillit Shkencor, në zbatim të kësaj dispozite, që të shmanget konflikti i mundshëm i Interesit, por edhe të mos u pamundësohet pjesëmarrja në votim. Askush nuk është përjashtuar, madje në mbledhjen e KSh-së nuk është ngritur as si diskutim apo propozim nga dikush kjo çështje. Këto pohime vërtetohen me procesverbal.
Përbërja e Komisionit për vlerësimin e aplikantëve për pozitën e drejtorit të IAP-së
është e paligjshme – Neni 67 i Ligjit të punës, i theksuar në Vendim saktëson Ndërprerjen e Kontratës së Punës sipas fuqisë ligjore, nuk saktëson asgjë në lidhje me angazhimin e ekspertëve. Pra, njëri nga anëtarët e Komisionit është ekspert i fushës, ish punonjës shkencor në Institut, është angazhuar nga KSh si ekspert pa pagesë. Theksojmë se ligjet në Republikën e Kosovës duhet dhe vlejnë njëjtë për të gjithë. MAShTI ka emëruar si anëtar të Këshillit Drejtues një pensionist, ish punonjës të Institutit, i cili ende është në këtë detyrë. Gjithashtu, anëtarja e dytë e KD-së, e emëruar nga MAShTI nuk ka gradë shkencore siç e parasheh Neni 23, paragrafi 4 i Ligjit Nr.04/L-135 për Veprimtari Kërkimore-Shkencore (Ministria përkatëse për shkencë emëron dy (2) anëtarë të Këshillit Drejtues që kanë thirrje shkencore).
Pas vlerësimit të Komisionit lidhur me zbatimin e procedurës për vlerësimin e Drejtorit, KSh nuk ka pasur të drejtë të votojë për “zgjedhje” të Drejtorit – Neni 25, paragrafi 5 të (Drejtorin e institutit e zgjedh dhe e shkarkon Këshilli Drejtues, në bazë të propozimit të këshillit shkencor të institutit), Neni 27, paragrafi 5 i Statutit të Institutit(Në mbështetje të këtij vlerësimi, Këshilli Shkencor i Institutit i propozon Këshillit Drejtues të Institutit kandidatët për drejtor të Institutit). Pikërisht, në zbatim të neneve në të cilat thirret marrësi i vendimit, KSh nuk e ka zgjedhur drejtorin e Institutit, vetëm e ka propozuar, në bazë të renditjes që ka dalë nga raporti i Komisionit dhe procesi i votimit. Pra, përveç Rregullores së Punës të Këshillit Shkencor, kjo praktikë është ndjekur nga Instituti që nga themelimi i këtij institucioni dhe asnjëherë nuk është kontestuar nga Ministria, si një mekanizëm vlerësues dhe propozues. Pra, KSh nuk e ka zgjedhur drejtorin e IAP, por e ka propozuar listën e kandidatëve që kanë aplikuar sipas një renditjeje të caktuar. KD e ka zgjedhur drejtorin në bazë të mandatit që ia jep Ligji dhe Statuti pa asnjë presion apo kufizim, ndryshe nuk do t’i propozoheshin kandidatët por kandidati.
Procedura për ‘zgjedhjen’ e Drejtorit është mbështetur në Rregulloren e Punës Nr. IAP 90/2 të KSh-së, e cila, në kohën kur është zhvilluar procedura, nuk përbënte akt juridik me fuqi të plotë ligjore – Rregulloren 90/2 të KSh-së e kanë të gjithë punonjësit shkencorë të IAP. Në draftimin e kësaj rregulloreje, përveç Komisionit për hartimin e saj, kanë marrë pjesë me komente të gjithë anëtarët e KSh-së. Varianti përfundimtar i skanuar dhe i vulosur u është dërguar më 08.10.2025. Pra, anëtarët e KSh-së e kanë miratuar dhe pranuar këtë rregullore me kohë. Publikimi i saj në faqen e Institutit më datë 20.01.2026 lidhet me proceset e brendshme, me ridizajnimin e faqes që jemi duke e bërë për t’u përshtatur me nevojat e Institutit për publikimin e revistave online dhe indeksimin e tyre. Sa i përket publikimi në Gazetën Zyrtare, konstatojmë se deri më sot, asnjë akt juridik, ligjor apo nënligjor i Instituteve nuk është publikuar. Pra, nëse këto dispozita do të vlenin për Institutet Shkencore, pse nuk e ka ngritur MAShTI këtë çështje me rastin e zgjedhjes së drejtorëve në Institutin e Historisë “Ali Hadri” dhe Institutin Pedagogjik të Kosovës?!
KONSTATIM PËRFUNDIMTAR
Duke u mbështetur në shqyrtimin e plotë të vendimit, në zbatim të dispozitave të Ligjit nr. 04/L-135 për Veprimtari Kërkimorë Shkencore, Ligjit nr. 05/L-031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative, Statutit të Institutit Albanologjik të Prishtinës dhe rregulloreve të brendshme të Këshillit Drejtues dhe Këshillit Shkencor, Këshilli Drejtues konstaton se:
- Vendimin e MAShTI-t e konsiderojmë ndërhyrje në autonominë institucionale dhe funksionale të Institutit, që është në kundërshtim me frymën kushtetuese të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në kuptimin e Nenit 24, dhe Nenit 48 me nënpikat 1 dhe 2. [Liria e Artit dhe e Shkencës] 1. Liria e krijimtarisë artistike dhe shkencore është e garantuar. 2. Liria akademike është e garantuar).
- Vendimi i MASHTI është i pasafatshëm sepse është marrë më datë 26.01.2026, 53 ditë pasi IAP e ka njoftuar MAShTI-n për vendimin. Ligji për Procedurën e Përgjithshme Administrative i saktëson këto afate, kemi të bëjmë me heshtje administrative;
- MASHTI është informuar për fillimin e procedurës për shpalljen e konkursit për drejtor të Institutit Albanologjik – Prishtinë më 02.10.2025;
- Këshilli Drejtues i IAP ka hartuar kushtet dhe kriteret e konkursit, si dhe ka marrë vendim për shpalljen e Konkursit në mbledhjen e datës 10.10.2025;
- Konkursi për Drejtor të IAP është shpallur më 14.10.2025(është publikuar në faqen e Institutit, SIMBNJ, Gazetën Epoka e Re, e kanë shpërndarë të gjitha platformat e punës online), ka qenë i publikuar për 30 ditë;
- Nëse kriteret ose ndonjë dispozitë e këtij Konkursi nuk ka qenë e ligjshme, pse MAShTI nuk ka reaguar me kohë, kur i ka edhe anëtarët e vet të emëruar në KD;
- Procedura e shpalljes së konkursit, vlerësimit të kandidatëve dhe votimit në Këshillin Drejtues është zhvilluar në pajtim me bazën ligjore dhe aktet nënligjore të zbatueshme;
- Kriteret e konkursit kanë qenë të ligjshme, transparente dhe të harmonizuara me Ligjin Nr.04/L-135 për Veprimtari Kërkimore-Shkencore Ligjin Statutin e Institutit dhe Rregulloret e brendshme.
- Anëtarët e Këshillit Drejtues të IAP të emëruar nga MAShTI nuk kanë marrë pjesë në mbledhjet e këtij organi që nga qershori i vitit 2025, ndonëse pjesëmarrja në mbledhje është e obligueshme sipas Rregullores së Punës së Këshillit Drejtues dhe deklaratës nën betim që ata kanë nënshkruar. Për këtë çështje IAP ka njoftuar MASHTI-n disa herë, duke kërkuar që të bisedohet me ta por asnjëherë nuk ka marrë përgjigje.
Në përfundim, Këshilli Drejtues i IAP konstaton se Vendimi i MAShTI-t është publikuar pas afateve ligjore të përcaktuara me ligj, prandaj nuk mund të ketë fuqi juridike. Gjithashtu, nga shqyrtimi i hollësishëm i të gjitha pikave, u konstatua se ky vendim nuk ka mbështetje në bazën ligjore të zbatueshme mbi të cilën funksionon Instituti Albanologjik i Prishtinës.
Me qëllim të sqarimit përfundimtar të kësaj çështjeje dhe për të shmangur çdo paqartësi ligjore dhe institucionale, Këshilli Drejtues autorizon drejtorin e Institutit që kontestin ta adresojë në Gjykatën kompetente, t’i informojë me kohë punonjësit e Institutit, MAShTI-n dhe opinionin publik.
Këshilli Drejtues i IAP
Prishtinë, 27.01.2026



