Kallas për bllokuesit brenda BE-së: S’mundet që vetoja e një vendi të përcaktojë politikat për të tjerët
Kryediplomatja e Bashkimit Evropian (BE), Kaja Kallas u ka dërguar një paralajmërim vendeve të BE-së që përpiqen herë pas here të pengojnë politikat e bllokut, veçanërisht ndaj Rusisë, duke thënë se kjo nuk duhet të tolerohet.
“Ta pranojmë, Evropa mund të jetë e ngadaltë. Unanimiteti do të thotë që nuk mund të veprojmë gjithmonë me shpejtësinë e rëndësisë. Sigurisht, ka dallime në politikat midis shteteve anëtare. Kjo është e gjitha e natyrshme, por unanimiteti përdoret gjithashtu nga disa si një mjet negociues. Dhe nuk mund të ndodhë që vetoja e një vendi të përcaktojë politikat për të tjerët”, ka thënë ajo.
Me këtë, Kallas më shumë gjasë ka aluduar për kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban, shkruan “The Guardian”.
Në komentet që ka të ngjarë të shihen si sfiduese ndaj sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, dhe këmbënguljes së tij të fundit se Evropa nuk mund të mbrohet pa ShBA-në, Kallas ka bërë thirrje konkretisht për më shumë punë në anën evropiane të NATO-s.
“NATO duhet të bëhet më evropiane për të ruajtur forcën e saj dhe për këtë Evropa duhet të veprojë. Për shembull, ne duhet të sigurohemi që iniciativat tona të sigurisë dhe mbrojtjes të mbeten plotësuese të NATO-s”, ka thënë Kallas.



