MAShTI reagon pas raportimeve në medie për aktakuzën ndaj 12 zyrtarëve të saj: S’kemi pranuar njoftim zyrtar
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka reaguar lidhur me raportimet mediatike mbi aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ndaj 12 zyrtarëve të Ministrisë.
Në reagimin e saj, MAShTI ka bërë me dije se më 31 dhjetor 2025 është njoftuar vetëm përmes mediave dhe deri më tani nuk ka marrë asnjë njoftim apo vendim zyrtar nga institucionet kompetente.
Ministria ka theksuar se respekton dhe mirëpret punën e institucioneve të pavarura të drejtësisë dhe do të jetë e hapur dhe transparente ndaj çdo zhvillimi zyrtar.
“Ministria respekton parimin e pafajësisë, ashtu siç garantohet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, ka njoftuar MAShTI.
Sipas MAShTI-t, mediet duhet të raportojnë saktë dhe në përputhje me standardet profesionale të gazetarisë, për të shmangur keqinformimin e publikut, dëmtimin e procesit gjyqësor dhe cenimin e integritetit institucional.
Po ashtu, MAShTI ka kërkuar respektimin e të drejtave ligjore për mbrojtjen e të dhënave personale dhe të dhënave të ndjeshme, sipas Ligjit dhe legjislacionit përkatës në fuqi.
“Ministria mbetet e përkushtuar ndaj transparencës institucionale dhe llogaridhënies, në funksion të informimit të drejtë dhe korrekt të publikut”, përfundon reagimi.



