“Drejtësia pa llogaridhënie”, thirrje serioze për transparencë dhe respekt të dinjitetit njerëzor

30 janar 2026 | 16:55

Shtëpia botuese “Armagedoni” ka lëshuar sot në shtyp librin “Drejtësia pa llogaridhënie : Raporti Marty, Dhomat e Specializuara dhe deformimi i drejtësisë” të autorit Ibish Neziri.

Njoftimin për botimin e librit e ka publikuar në rrjete sociale drejtori i kësaj shtëpie, Berat Armagedoni, i cili ka bërë edhe një përshkrim të shkurtër për përmbajtjen e librit: “Librin e Ibish Nezirit, në gjuhën shqipe dhe angleze, e lëshuam sot në shtyp. Sot një javë, një mijë ekzemplarë do t’i nxjerrim nga shtypi. Po i paraprijmë marshit demonstrues të 17 shkurtit me një protestë me fjalë, me dëshmi dhe me fakte.

Libri ‘Drejtësia pa llogaridhënie : Raporti Marty, Dhomat e Specializuara dhe deformimi i drejtësisë’ i Ibish Nezirit është një analizë kritike, e strukturuar dhe juridikisht e argumentuar mbi një nga çështjet më të ndjeshme të pasluftës në Kosovë: funksionimin dhe legjitimitetin e Dhomave të Specializuara në Hagë. Autori nuk ndalet në trajtimin sipërfaqësor të debatit publik, por e vendos temën në një kornizë më të gjerë normative, institucionale dhe morale, duke e ballafaquar praktikën konkrete të kësaj gjykate me standardet e së drejtës evropiane dhe ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Neziri argumenton se Dhomat e Specializuara janë produkt i një procesi politik të nisur nga Raporti i Dick Martyt dhe se juridiksioni i tyre selektiv ka prodhuar një drejtësi asimetrike, e cila rrezikon të deformojë jo vetëm parimet themelore të drejtësisë penale, por edhe kujtesën historike të luftës së Kosovës. Në qendër të kritikës së autorit qëndron mungesa e llogaridhënies institucionale, paraburgimi i tejzgjatur shumëvjeçar, refuzimi i mbikëqyrjes së jashtme dhe shkelja e standardeve të Nenit 5 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Këto fenomene trajtohen jo si raste të izoluara, por si pasojë e një vendimi institucional ndërkombëtar, i cili ka normalizuar përjashtimin procedural dhe ka relativizuar të drejtat themelore të njeriut.

Vlera e veçantë e librit qëndron në qasjen e tij të matur dhe të përgjegjshme: autori nuk synon të mohojë krime individuale, as të ndërhyjë në procese gjyqësore konkrete, por kërkon barazi normative, proporcionalitet dhe koherencë morale në zbatimin e drejtësisë. Duke kombinuar përvojën personale të jetës në sisteme të ndryshme politike me përvojën profesionale si gazetar dhe redaktor në medie perëndimore, Neziri arrin të ndërtojë një diskurs kritik që është njëkohësisht racional, juridik dhe qytetar. “Drejtësia pa llogaridhënie” është një kontribut i rëndësishëm në debatin publik dhe akademik mbi kufijtë e drejtësisë penale ndërkombëtare dhe mbetet një thirrje serioze për transparencë, mbikëqyrje dhe respekt të dinjitetit njerëzor në emër të një drejtësie reale, e jo thjesht formale”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
E ardhmja e Robert Lewandowskit te Barcelona duket gjithnjë e…