Ky është i dyshuari për kanosjen e policëve në Gjakovë
Një incident tejet i rëndë është shënuar pasditen e së shtunës në Gjakovë, ku një person dyshohet se ka kanosur zyrtarët policorë me armë zjarri dhe granatë dore, gjatë një ndalese rutine në trafik.
Ngjarja ka ndodhur më 25.01.2026, rreth orës 16:20, në rrugën “Flaka e Tringa Hoxha”, ku patrulla policore kishte ndaluar një automjet BMW X5, pasi drejtuesi kishte kryer një kundërvajtje në trafik.
Sipas informacioneve nga burimet e besueshme, pasi zyrtarët policorë i kanë bërë me dije se do t’i shqiptohej tiketa e trafikut, i dyshuari Lirdon Podrimja ka dalë nga vetura dhe ka nisur t’i kanosë policët, duke i kërcënuar me jetë.
Situata ka eskaluar edhe më shumë në momentin kur policët e kanë njoftuar se është i arrestuar dhe kanë tentuar ta prangosin, por i dyshuari ka rezistuar, është shkëputur nga duart e policëve dhe ka futur duart në çantën e krahut.
Në atë çast, ai dyshohet se ka nxjerrë një pistoletë, ka futur fishekun në tytë dhe e ka drejtuar në drejtim të zyrtarëve policorë, duke u thënë: “Ju vraj, ju vraj.”
Jo vetëm kaq, por sipas burimeve, i dyshuari më pas ka nxjerrë edhe një granatë dore, të cilës dyshohet se ia ka hequr siguresën, duke vazhduar kanosjen ndaj zyrtarëve policorë.
Pas kësaj, ai është futur me shpejtësi në veturën e tij dhe është larguar nga vendi i ngjarjes, duke ikur në drejtim të panjohur.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori kujdestar, ndërsa me urdhër të tij janë kryer bastisje në lokacionin ku banon i dyshuari dhe në lokalin e tij.
Gjatë kontrollit në lokal, Policia ka gjetur dhe sekuestruar 4 fishekë, rreth 2 gramë marihuanë, tri peshore digjitale si dhe një mulli që shërben për bluarjen e marihuanës.
I dyshuari Lirdon Podrimja ndodhet ende në arrati, ndërsa rasti është iniciuar për disa vepra penale: “Kanosja”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Hetimet janë duke vazhduar, ndërsa autoritetet policore po ndërmarrin veprime për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarit.



