PSG-ja alarmohet nga interesimi i Real Madridit për Luis Enriquen, synon ta “blindojë” me kontratë afatgjatë
Paris Saint-Germain (PSG) ka nisur zyrtarisht bisedimet për ta zgjatur kontratën e Luis Enrique, me mundësinë që trajneri spanjoll të qëndrojë në klub deri në vitin 2030.
55-vjeçari, i cili ndodhet në krye të skuadrës prej rreth dy vitesh e gjysmë, është shndërruar në figurën qendrore të projektit sportiv të PSG-së, duke pasur kontroll të plotë mbi vendimet futbollistike.
Klubi parisien synon që marrëveshja e re të finalizohet para përfundimit të sezonit, në mënyrë që Enrique të mos ekspozohet ndaj interesimit nga klube të tjera, si Real Madridi dhe veçanërisht nga Anglia, ku vazhdon të vlerësohet shumë. Burimet bëjnë të ditur se bisedimet po zhvillohen qetësisht dhe sipas planit, me PSG-në që është e bindur se marrëveshja do të arrihet.
Enrique ka shprehur edhe publikisht dëshirën e tij për të qëndruar për një periudhë të gjatë në Paris.
“Shpresoj të qëndroj 10 vite, por realisht është shumë e vështirë të qëndrosh kaq gjatë në një klub të nivelit më të lartë. Këtu është një projekt krejtësisht ndryshe. Ndihem shumë mirë, shumë rehat. Do të ishte fantastike nëse aventura ime këtu zgjat dhjetë vite”, deklaroi ai në janar të vitit 2025.



