Izraeli miraton masa për forcimin e kontrollit mbi Bregun Perëndimor

09 shkurt 2026 | 08:30

Kabineti i sigurisë së Izraelit miratoi të dielën një paketë masash që synojnë forcimin e kontrollit izraelit mbi Bregun Perëndimor, duke i hapur rrugë zgjerimit të mëtejshëm të vendbanimeve në këtë territor palestinez.

Ky territor, i pushtuar nga Izraeli që prej vitit 1967, konsiderohet pjesë kyçe e një shteti të mundshëm palestinez në të ardhmen, por nga shumë përfaqësues të së djathtës fetare shihet si tokë që i përket Izraelit.

“Kabineti i sigurisë sot miratoi një sërë vendimesh… duke ndryshuar rrënjësisht realitetin ligjor dhe civil në Judea dhe Samari”, tha një deklaratë, duke përdorur emrat biblikë për Bregun Perëndimor, shkruajnë mediat e huaja.

Masat, të njoftuara nga ministri i Financave, Bezalel Smotrich dhe ministri i Mbrojtjes Israel Katz, përfshijnë heqjen e rregulloreve dekada të vjetra që u ndalojnë qytetarëve hebrenj të blejnë tokë në Bregun Perëndimor, sipas një deklarate të përbashkët nga dy ministrat.

Smotrich tha se masa synonte “thellimin e rrënjëve tona në të gjitha rajonet e Tokës së Izraelit dhe varrosjen e idesë së një shteti palestinez”.

Reformat parashikojnë gjithashtu transferimin e autoritetit mbi lejet e ndërtimit për vendbanimet në pjesë të qyteteve palestineze, përfshirë Hebronin, nga organet komunale të Autoritetit Palestinez në Izrael.

Deri më tani, ndryshimet e ndërtimit në komunitetin hebraik të qytetit kërkonin miratim si nga bashkia lokale ashtu edhe nga autoritetet izraelite, raportoi Times of Israel, duke cituar deklaratën.

Ndërsa sipas rregullimeve të reja, ndryshime të tilla do të kërkonin vetëm autorizimin izraelit.

“Ne jemi të përkushtuar për të hequr barrierat, për të krijuar siguri ligjore dhe civile, dhe për t’u lejuar kolonëve të jetojnë, të ndërtojnë dhe të zhvillohen në kushte të barabarta me çdo qytetar të Izraelit”, tha Katz në deklaratë.

Masat gjithashtu do t’u lejonin autoriteteve izraelite të administronin vende të caktuara fetare edhe kur ato ndodhen në zona nën kontrollin e Autoritetit Palestinez, tha deklarata.

Në anën tjetër, Presidenca palestineze në Ramallah e dënoi vendimin, duke thënë se ai kishte për qëllim “thellimin e përpjekjeve për të aneksuar Bregun Perëndimor të pushtuar”.

Presidenca tha se “vendimet pasqyrojnë një përpjekje të hapur izraelite për të legalizuar zgjerimin e vendbanimeve, konfiskimin e tokës dhe prishjen e pronave palestineze, madje edhe në zonat nën sovranitetin palestinez”.

Autoriteti Palestinez ushtron kontroll mbi disa zona të shkëputura të Bregut Perëndimor.

Njoftimi vjen disa ditë përpara vizitës së kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në Shtetet e Bashkuara, ku ai do të takohet me presidentin Donald Trump i cili ka kundërshtuar aneksimin e Bregut Perëndimor nga Izraeli.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aleanca më e madhe ushtarake, NATO sërish ka kërkuar dorëzimin…