Publikohet kënga “Beteja e Maznikut”
Këngëtari Faton Krasniqi ka publikuar projektin e tij më të ri muzikor, “Beteja e Maznikut”, një këngë kushtuar dëshmorëve Shkëlzen Haradinaj, Fatmir e Luan Nimanaj dhe Hasim Halilaj, të rënë në Maznik të Deçanit në 16 prill të vitit 1999.
Kënga vjen si një homazh i veçantë për trimërinë dhe sakrificën e tyre, duke sjellë emocione të forta që në sekondat e para. Në hyrje të saj dëgjohet zëri autentik i luftëtarëve të lirisë, incizuar pak kohë para rënies së tyre, element që e bën projektin edhe më prekës dhe domethënës.
Tekstin e këngës e ka shkruar vetë Faton Krasniqi, ndërsa muzika është realizuar nga Naim Gjoshi. Orkestrimi mban firmën e Hysni Klinakut, duke i dhënë këngës një dimension të fuqishëm artistik dhe emocional. Videoklipi është realizuar nga Domi Production, me pamje që përcjellin atmosferën e kohës dhe madhështinë e sakrificës.
Menjëherë pas publikimit, videoklipi ka nisur të bëjë jehonë të madhe në publik dhe në rrjetet sociale. Projekti pritet të pëlqehet gjerësisht dhe të arrijë shifra të larta shikueshmërie në platformën YouTube, duke u shndërruar në një nga realizimet më të ndjera dhe më të suksesshme të këtij zhanri.



