PËRSE, MADHËRI?

18 shkurt 2026 | 09:13

Agim Vinca

Ave, Evropë! Të falem!

Lakmi t’i kam Panteonët, sheshet, muzetë,

bulevardet,

ku në çdo hap ka art dhe histori.

Lavdi armëve dhe fitoreve të tua!

Lavdi!

Po përse, moj Zonjë e Madhe,

me paleta e granduniformë,

kërkon nga unë të heq dorë nga lufta ime,

të mos këndoj këngë për lirinë,

të mos u ngre lapidar dëshmorëve,

të mos u thur vargje të rënëve?

E përse djemtë m’i mbyll në burg

e m’i degdis në Hagë –

Ata që lirinë e kërkuan burgjeve

Ata që lirinë e lanë me gjak?!

Zonjë hijerëndë,

me Muze Armësh e Sheshe Invalidësh,

përse kërkon nga unë t’i fshij nga memorja shkronjat

UÇK?!

E përse djemtë m’i degdis në Hagë e m’i mbyll

në Dubravë, në atë hapsanë larë me gjak e lot?!

Përse, madhëri,

nënë luftërash e shtetesh e lirish;

Më thuaj përse,

pash Shën Bartolometë dhe Bonapartët e tu të shumtë

e funeralet e tua madhështore në natën e gjatë të historisë?!

(Paris, 2005; Prishtinë, 2011)

E përshëndes dhe falënderoj juristen e njohur Rudina Jasini, kolege në Akademinë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave, për vizitën në Hagë dhe bisedën me Rexhep Selimin. Kur ia pata lexuar poezinë e mëposhtme Rexhës, vite më parë, para arrestimit, i qenë mbushur sytë me lot, edhe pse është djalë trim dhe i fortë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Iljasa Salihu Nusreti gaboi kur ndaj xhamive dhe lajmëtarëve…