Agim Ademi nderohet si “Ambasador për Paqe” në një mbrëmje madhështore të organizuar në Tiranë

18 shkurt 2026 | 18:44

Pasditen e 17 shkurtit 2025, në ambientet e Ambasadës së Paqes në Tiranë u zhvillua një nga aktivitetet më domethënëse në kuadër të 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Nën moton “18 Vite Kosovë e Pavarur – Model Suksesi” dhe Paqeje”, eventi i organizuar nga Federata e Paqes Universale mblodhi rreth 200 personalitete të shquara të jetës publike, diplomatike, akademike, artistike dhe sportive nga Shqipëria, Kosova dhe trojet shqiptare.

Ceremonia nisi me interpretimin e himnit të Kosovës dhe himnit Kombëtar Shqiptar, duke krijuar një atmosferë solemne dhe krenarie kombëtare. Më pas, fjala iu dha personaliteteve të ftuara, të cilët përcollën mesazhe uniteti, bashkëpunimi dhe perspektive evropiane për Kosovën.

Të pranishmit përshëndetën Ambasadori i Republikës së Kosovës në Shqipëri, z. Skënder Durmishi, si dhe ish-Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë për periudhën 2014–2023, z. Qemal Minxhozi. Një mesazh të veçantë përcolli edhe znj. Klajda Gjosha, ish-Ministre e Integrimit Evropian, e cila vlerësoi rrugëtimin e Kosovës si një histori suksesi, që ka forcuar stabilitetin dhe paqen në rajon.

Atmosfera u pasurua nga performanca artistike të ikonave të muzikës shqiptare si Shyhrete Behluli, Sabri Fejzullahu, Esat Ruka, si dhe nga Grupi i Polifonisë dhe Grupi nga Çamëria, të cilët sollën emocione të forta dhe një frymë të thellë bashkimi kombëtar. Mbrëmja u moderua me profesionalizëm nga kryetari i FPU Shqipëri, z. Defrim Methasani./Albaniaexpress

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gresa Krasniqi, vajza e Jakup Krasniqit, ka reaguar pasi ai…