Britania e Madhe s’i jep leje Amerikës t’i përdorë bazat e saj ushtarake për sulme ndaj Iranit

20 shkurt 2026 | 08:16

Qeveria britanike nuk i ka dhënë leje Shteteve të Bashkuara të Amerikës të përdorin bazat ushtarake të Mbretërisë së Bashkuar për të mbështetur sulmet e mundshme të SHBA-së ndaj Iranit, sipas transmetuesit publik BBC.

SHBA-të në të kaluarën kanë përdorur RAF Fairford, në Gloucestershire, dhe territorin britanik të huaj të Diego Garcia, në Oqeanin Indian, për të kryer sulme në rajonin e Lindjes së Mesme.

Kritikat e fundit të Presidentit Donald Trump, ndaj marrëveshjes së Sir Keir Starmer për t’ia dorëzuar Ishujt Chagos Mauritiusit dhe për të dhënë me qira një bazë të përbashkët ushtarake Britani-SHBA, u nxitën nga mosdhënia e lejes nga Britania e Madhe për të përdorur bazat.

Një zëdhënës i qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar tha: “Siç e bëjmë rregullisht, ne nuk komentojmë për çështje operacionale.”

SHBA-të kanë ushtruar presion mbi Iranin që të bjerë dakord të frenojë programin e tij bërthamor. Vendi ka kërcënuar me sulme të mundshme nëse nuk e bën këtë dhe ka zhvendosur anije luftarake, avionë dhe asete të tjera ushtarake në rajon në përgatitje për një sulm të mundshëm.

Në të njëjtën kohë, është raportuar njëfarë progresi në bisedimet midis negociatorëve amerikanë dhe iranianë në Zvicër.

Të enjten, Trump tha se bota do të zbulojë “gjatë 10 ditëve të ardhshme, ndoshta,” nëse SHBA-të do të arrijnë një marrëveshje me Iranin apo do të ndërmarrin veprime ushtarake.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Njohësi i cështjeve politike, Arton Demhasaj, është deklaruar ndaj subjekteve…