Lladrovci: Stadiumi nacional do të jetë në zonën më strategjike, në zemrën e Kosovës

23 shkurt 2026 | 20:48

Pas publikimit të projekt buxhetit për 2026, lidhur me buxhetimin e Stadiumit nacional, kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka theksuar se ai e ka vendin në zonën më strategjike, sipas tij në zemrën e Kosovës.

Postimi i tij në Facebook:

Mbështetur në të dhënat e projekt-buxhetit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (Ministria e Sportit), nën programi 207100 – Sporte, ka planifikuar dhe buxhetuar projektin nr. 14226, “Stadiumi Nacional i Futbollit”.

Megjithatë, nuk është përcaktuar lokacioni i projektit, siç kërkohet me Udhëzimin Administrativ 06/2019, buxheti është si vijon:

Viti 2026: 4,000,000.00 euro,

Viti 2027: 5,000,000.00 euro,

Viti 2028: 6,000,000.00 euro.

Për opinionin mbetet e paqartë vendndodhja se ku do të jetë Stadiumi nacional.

Lokacioni i Stadiumit Nacional është përcaktuar në Zonën Kadastrale Sankoc që kufizohet me Komunën e Fushë Kosovës, buzë autostradës “Ibrahim Rugova”, zona më strategjike, në zemrën e Kosovës.

Për këtë lokacion është bërë studimi i fizibilitetit, është hartuar projekti dhe shpronësimi, vlera e tërësishme e mjeteve të shpenzuara është rreth 10 milionë euro.

Jemi të bindur se nuk do të lejohet gjakderdhja financiare me tendencën e ndryshimit të lokacionit, ndryshe, do të ndjekim të gjithë mekanizmat ligjor që kjo të mos ndodhë.

Vendi i përcaktuar, nuk ka qenë i lidhur me ndonjë ndikim material apo politik, sepse, Studimi i fizibilitetit për Stadium, është kryer nga ekspertët ndërkombëtarë dhe është vlerësuar si më i përshtatshëm në nivel vendi.

Të gjitha arsyet e prezantuara në studim qëndrojnë. Arsyeshmëria e ngritjes së Stadiumit aty është e lidhur me kushtet si vendndodhja, hapësira, ambienti, qasja, mobiliteti, mjetet e transportit, etj.

Pak histori rreth kësaj çështjeje:

Më 18 mars 2014, kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi, pati marrë vendim për ndërtimin e Stadiumit nacional në Bërnicë, zhvillimet në nivelin qendror ndikuan që më 4.12.2017, u mor vendim nga Kryeministri i atëhershëm, Ramush Haradinaj dhe u bë projekti ideor, studimi i fizibilitetit, shpronësimet, etj., në Sankoc.

Stadiumi nacional i duhet Kosovës, sa më parë të bëhet, aq më mirë për sportistët, sportdashësit dhe reputacionin e shtetit tonë!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas kërkesës së Ministrisë së Mbrojtjes për përfshirjen e kategorive…