Drejt zgjedhjeve. Edhe një herë.
Shkruan: Petrit Selimi
Albin Kurti është lideri i parë partiak në historinë e demokracisë kosovare që ka opsione të shumëfishta me zgjedhë presidentin/en e republikës. Mundet me ja zgjatë mandatin Presidentës në shkuarje Vjosa Osmanit, me ndihmën e LDK-së. Mundet me u marr vesh për ndonjë kandidat tjetër me LDK. Kurti mundet me injoru si LDK-në ashtu edhe Osmanin dhe mu marr vesh me PDK për një kandidat që i konvenon dhe që i merr 80 vota. Kryeministri omnipotent i Kosovës ka edhe opsion tjetër: mundet me propozu një emër neutral konsensual që nuk është fare i përfshirë në politikë. Ndonjë profesor apo diplomat karriere apo aktivist nga shoqëria civile me integritet njerëzor.
Ja që asnjëra nga opsionet, ku Kurtit i kërkohet të bën një kompromis fare të vogel që të përmbyll krijimin e institucioneve dhe të vazhdon krejtësisht i papenguar të qeverisë si kryeministër, nuk e kënaq. Kryeministri në Kosovë, sipas sistemit tonë kushtetues, është epiqendra e qeverisjes, zbatimit të vendimeve, formësimit të politikave. Si kryeministër me një mandat të fuqishëm prej 51%, Kurti e ka lluksin me drejtu procesin e zgjedhjes së Presidentit tek personat që realisht nuk kanë asnjë rol ekzekutiv e as mundësi teorike me i konkurru politikisht.
Por jo. Regjimi i Vetëvendosjes ka vendosur t’a bllokon Osmanin. Ka vendosur poashtu ta bllokon çfarëdo marrëveshje me LDK apo PDK. Në botën e kryeministrit kosovar nuk ka vend për çfarëdo kompromisi, sado minimal të jetë ai, për të mirë të Kosovës, nëse sheh çfarëdo rreziku që ia mohon të drejtën që ai dhe vetëm ai të jetë i vetmi që dominon tërë qeverinë, tërë Kuvendin dhe tërë institucionet.
Këtë të drejtë kryeministri ka filluar të proklamon se e ka “të shkruar” nga Zoti. E tha pardje me gojë të vetë: “Zoti me laps” – God himself – ia dha 51.1%. Thjesht teologjikisht, kjo është natyrisht një blasfemi, por deklarata e Kurtit për “mandatin hyjnor” tradhton se çka në të vërtetë sillet në mendjen e kryeministrit: ta krijon Republikën e Tretë ku s’ka vend për askënd që nuk e kalon testin e puritanizmit të Pejgamberit Kurti.
Problemi është që kjo Republika e Dytë, republika reale dhe ekzistente, jo imagjinare, e ka një trashëgimi politike dhe sistem juridik ku populli voton për qeverinë dhe ai që e bën shumicën e thjeshtë qeveris me vend e kuvend por presidenti/ja ka nevojë për konsenzus më të gjerë të shumicës së 2/3 të deputetëve. Kjo nuk është pahiri. Ky sistem juridik dhe traditë demokratike me qëllim është dizajnu e kultivu me kriju koalicione dhe me inkuraju kompromise. Republika e Dytë, kjo realja, ekzistuesja, për të cilën u derdh gjak dhe për të cilën lidhëm besëlidhje me Amerikë dhe aleatë, i konsideron koalicionet dhe kompromiset vlerë.
Kurtit i takon me udhëheq qeverinë i vetëm dhe me kontrollu Kuvendin i vetëm. Por për presidence i nevojiten votat e tjerëve.
Kurti nuk do t’i kërkon votat e kërkujt sepse e konsideron 51.1% të vetëmjafteshëm për vetëkënaqje. Kurti nuk e ka as problem me blloku krejt një Republikë (këtë të Dytën, realen, ekzistenten), krejt një shoqëri, krejt një shtet. Bile në bllokadë, krizë, kaos, noton si peshku në ujë.
Dhe kështu fituesi historik i mandatit më të thellë ndonjëherë të fituar nga populli për me qeverisë, ka vendosë vullnetarisht, me “mend ne krye” siç thojmë popullorçe, me abdiku prej qeverisjes, prej përgjegjësive, prej kompromisit e koalicioneve, për edhe një hedhje zari drejt dominimit monopartiak (e që realisht është monopersonal sepse VV është Kurti dhe vetëm Kurti).
Prandaj po shkojmë drejt zgjedhjeve.



