Ballkani, Ferizaj dhe Dukagjini në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës

04 mars 2026 | 16:09

Ballkani, Ferizaj dhe Dukagjini janë skuadrat që e kanë siguruar kalimin në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës në futboll, teksa skuadra e fundit do të mësohet nesër në përballjen Llapi – Malisheva.

Në stadiumin e qytetit në Suharekë, Ballkani siguroi kualifikimin në gjysmëfinale pas fitores 2:1 ndaj Gjilanit në çerekfinale.

Bleart Tolaj kaloi vendasit në epërsi në minutën e 13-të, ndërsa Geralb Smajli dyfishoi shifrat në minutën e 40-të.

Ndërkaq, golin e vetëm për Gjilanin e realizoi Senad Jaroviq, në minutën e 71-të.

Kësisoj, Ballkani krahas luftës për titull, do të vazhdojë edhe garën për kupë.

Fitore në shtëpi shënoi edhe Ferizaj, që e mposhti skuadrën e Ligës së Parë, Vushtrrinë, me rezultat 2:0.

Epërsia e vendasve erdhi pas një autogoli të portierit mysafir, Marly Prince Heritier Koubassanath, ndërsa rezultatin përfundimtar e vulosi Erion Sadriu nga penalltia në minutën e 75-të.

Fitore edhe më bindëse para tifozëve të vet dhe po ashtu ndaj një skuadre të Ligës së Parë realizoi edhe Dukagjini, që e mposhti Feronikelin 74, me shifrat 3:0.

Dient Isufi (17’), Altin Mërlaku (39’) dhe Mërgim Pefqeli (72’) realizuan për Dukagjinin, duke ia siguruar kalimin në mesin e katër skuadrave më të mira të kësaj gare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Nait Hasani, ka…